Ka njerëz që jetojnë gjatë, por lënë pak gjurmë pas vetes. Ka edhe të tjerë, që ndonëse largohen nga kjo botë, mbeten të gjallë në kujtesën e brezave, sepse jeta e tyre ishte një mision. I tillë ishte Emil Kastrioti – një burrë që nuk jetoi për veten, por për kombin, për mërgatën shqiptare dhe për ëndrrën e bashkimit kombëtar.
Sot, në njëmbëdhjetë vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, kujtimet më kthehen pas si një lumë që nuk ndalet. Më rikthejnë në korrikun e largët të vitit 1991, kur fati më dha mundësinë ta njihja për herë të parë. Kanë kaluar dekada, por ajo ditë mbetet e freskët në kujtesën time, sikur të kishte ndodhur dje. Atë verë ndodhesha mysafir në Gjermani.
Ishte një kohë e rëndë për shqiptarët e Kosovës. Në atdhe mbizotëronte frika, dhuna dhe pasiguria, ndërsa mërgata jetonte me plagën e mallit dhe me shpresën se një ditë do të vinte liria. Në mesin e atyre njerëzve që jetonin larg vendlindjes, në mërgim një emër përmendej me respekt të veçantë – Emil Kastrioti. Një mik i imi më foli gjatë për të.
Nuk fliste vetëm për një njeri, por për një idealist të rrallë. Më tregoi për netët pa gjumë, për udhëtimet e panumërta, për organizimet, për librat që shpërndante, për takimet me bashkatdhetarët dhe për përpjekjet e tij të pandalshme për t’i mbajtur shqiptarët të bashkuar rreth çështjes kombëtare ngase aso kohe nuk kishte Parti politike por funksiononte me sukses “Besëlidhja kombëtare” e cila kishte grumbulluar rreth vetës pjesën me të madhe të mërgatës shqiptare.
Emili ishte bërë halë në sy edhe për përfaqësitë diplomatike të Jugosllavisë së atëhershme. Sa më shumë dëgjoja, aq më shumë shtohej dëshira për ta takuar. Miku im organizoi një bisedë telefonike. Nuk kaloi shumë dhe mora rrugën me makinë nga Hamburgu drejt Stuttgartit. Ishte një udhëtim i gjatë, por për mua kilometrat nuk kishin rëndësi.
Më dukej sikur po shkoja drejt një njeriu që e njihja prej kohësh, edhe pse nuk e kisha parë kurrë porse në Vushtrri kisha dëgjuar për te. Kur mbërrita, më priti me një buzëqeshje të ngrohtë dhe me një përqafim që të bënte menjëherë të ndiheshe si në shtëpinë tënde. Në fytyrën e tij lexohej urtësia, ndërsa në sytë e tij shkëlqente dashuria për kombin.
Nuk kishte asnjë grimë mendjemadhësie, megjithëse ishte një figurë e respektuar me një autoritet të madh në mërgatë. Përkundrazi, të fliste me përulësi, me sinqeritet dhe me atë fisnikëri që e kanë vetëm burrat e mëdhenj. Kaluam së bashku disa orë që për mua u shndërruan në një shkollë të vërtetë guximi.
Biseduam për Kosovën, për Shqipërinë, për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë dhe për të ardhmen e kombit. Ai fliste me një bindje të palëkundur se, sado e vështirë të ishte rruga, liria do të vinte dhe bashkimi me Shqipërin është i pa shmangshëm. Besonte se shqiptarët nuk duhej të humbnin kurrë shpresën dhe se një ditë kufijtë që i ndanin do të mbeteshin vetëm pjesë e historisë.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte kujtesa e tij e jashtëzakonshme. Ai njihte njerëz atdhetar pothuajse nga çdo qytet i Kosovës. Kur përmendi emra nga Vushtrria dhe Mitrovica, me të cilët edhe unë kisha lidhje farefisnore e familjare, mbeta i habitur. E kuptova se ai nuk i donte shqiptarët vetëm me fjalë; ai i njihte, i respektonte dhe i mbante pranë zemrës.
Po atë ditë pata nderin të anëtarësohesha në Besëlidhjen Shqiptare me pseudonimin “Lul Shala”. Ishte një moment solemn, që edhe sot e ndiej si një nga çastet më të rëndësishme të jetës sime. Nuk ishte thjesht një anëtarësim; ishte një betim moral se edhe unë do të jepja aq sa mundesha për çështjen kombëtare.
Kur erdhi çasti i ndarjes, baca Emin Fazliu alias Emil Kastrioti më solli një karton me libra të ndryshme dhe Harta të Shqipërisë Etnike . Disa m’i dhuroi mua, ndërsa të tjerët ishin me dedikime për të afërmit e tij në Vidishiq,Mitrovicë dhe Vushtrri. E dija mirë se bartja e atyre librave dhe materjaleve nuk ishte pa rrezik.
Ishte një kohë kur edhe një libër shqip mund të ngjallte dyshime dhe të sillte pasoja. Megjithatë, nuk hezitova asnjë çast. I mora me vete, sepse ndihesha i nderuar që më kishte besuar atë detyrë. Kur më në fund arrita t’i dorëzoja të gjithë librat dhe materjalet,në destinacion, ndjeva një lehtësim të madh.
Sot, kur e kujtoj atë episod, më duket i vogël në pamje të parë, por në zemrën time ka mbetur si një amanet i shenjtë, të cilin pata fatin ta përmbush. Vitet kaluan. Edhe unë u vendosa përfundimisht në Gjermani ngarkuar mbi supe me nofken azil kërkues.Takimet me bacën Emil u bënë më të shpeshta. Çdo takim ishte një festë e vogël shpirtërore.
Nuk mbaj mend të kem dalë ndonjëherë nga shtëpia e tij pa marrë një këshillë të mençur, pa dëgjuar një histori të panjohur ose pa u larguar me zemrën më të mbushur me shpresë. Ai nuk e njihte lodhjen. Edhe kur vitet rëndonin mbi supe, mendjen e kishte gjithmonë te Kosova, te Shqipëria dhe te shqiptarët. Fliste për ta me të njëjtin zjarr si një djalosh i ri.
Ishte ndër ata njerëz që nuk kërkonin as lavdi, as përfitime. Mjaftonte t’i shihte shqiptarët të bashkuar dhe ndihej i lumtur. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, ruaj me fanatizëm librezën e anëtarësimit në Besëlidhjen Shqiptare. Sa herë e nxjerr nga sirtari, më duket sikur ndalem për një çast në kohë.
Më rikthehet para syve fytyra e tij, buzëqeshja e qetë, shtrëngimi i dorës dhe zëri i ngrohtë që të jepte kurajë. Ajo librezë nuk është thjesht një dokument; është një copëz historie, një kujtim i shenjtë dhe një dëshmi e një kohe kur idealet peshoheshin më shumë se interesat personale. Sot më dhemb fakti që burra të tillë nuk jetojnë përgjithmonë.
Mungesa e tyre ndihet sa herë kujtojmë sakrificat që u bënë për lirinë dhe dinjitetin e kombit. Megjithatë, ngushëllimi ynë është se njerëzit si Emil Kastrioti nuk vdesin kurrë. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtimet tona, në librat që lanë, në veprat që ndërtuan dhe në frymëzimin që u japin brezave të rinj. Prandaj, sa herë përmendet emri i bacës Emil, unë nuk kujtoj vetëm një njeri.
Kujtoj një epokë të tërë sakrificash, idealesh dhe shprese. Kujtoj një brez që jetoi larg atdheut, por që zemrën nuk e largoi kurrë prej tij. Dhe mbi të gjitha, kujtoj një burrë që e deshi kombin pa kushte, pa kërkuar asgjë në këmbim. Qoftë i paharruar kujtimi i bacës Emil Kastrioti!
Veprat e tij le të mbeten frymëzim për çdo shqiptar që beson se dashuria për atdheun është ndër vlerat më të mëdha që mund të lërë një njeri pas vetes.
