Punonjësit e ndërtimtarisë në punishte edhe në ditë përvëluese

0%

Shpërndaje në: Në mungesë të një vendimi për kufizimin e orarit të punës, punëtorët në ndërtimtari dhe infrastrukturë po vazhdojnë të përballen me temperatura ekstreme që po tejkalojnë pragun e sigurisë shëndetësore.

Autoritetet përgjegjëse ende nuk kanë dalë me vendim për shkurtimin e orarit të punës Autore: Yllnora Elshani – Arifaj Për punëtorët e infrastrukturës rrugore, vala e të nxehtit e bën edhe më sfiduese punën që kryejnë çdo ditë mbi asfalt. “O s’jemi mirë na hiç, u kallëm zhegi’’, ka thënë të hënën një punonjës i angazhuar në rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

E hëna ishte dita më e nxehtë e gjashtë muajve të parë të vitit 2026. Temperaturat kanë shkuar deri në 38 gradë Celsius. Pavarësisht temperaturave të larta që po përballet vendi dhe në përgjithësi Evropa, institucionet ende nuk kanë dalë me ndonjë vendim për shkurtimin e orarit të punës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga Inspektorati Qendror i Punës kanë thënë se po mbikëqyrin zbatimin e rregullores për kohën e lejuar për punë. “Deri në momentin e dhënies së informatave, nuk kemi pranuar nga punonjësit ankesë lidhur me kushtet e punës të cilat kanë të bëjnë me temperaturat e larta!”, ka thënë për KOHË-n Kaltrina Cakolli, zëdhënëse në Inspektoratin Qendror të Punës.

Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, kufizimi i orarit për punëtorët në ndërtimtari i përket Ministrisë së Shëndetësisë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar. Vjet, Ministria e Shëndetësisë pati marrë vendim për të mos u punuar në periudhën e pikut – . Për sivjet nuk ka ende vendim. E IKSHPK-ja në postimin e së hënës në Facebook ka dhënë disa këshilla se si duhet të mbrohen qytetarët.

Në një prej tyre bëhet thirrje për të shmangur daljet jashtë gjatë orëve kur temperatura është më e larta. Si shkak i temperaturave të larta, edhe hapësirat më të frekuentuara në kryeqytet të hënën ishin bosh. Specialisti i Mjekësisë Familjare, Rushit Ismajli, ka thënë se është shënuar shtim i pacientëve që janë afektuar nga temperaturat e larta.

“Kemi pasur një numër të shtuar të pacientëve, sigurisht që ka pasë edhe probleme të tjera, mirëpo temperaturat e larta kanë bërë që problemet e tyre të shtohen, por kemi qenë në gjendje të menaxhojmë të gjitha rastet”, ka thënë Ismajli.

Ai ka theksuar se të gjitha moshat preken nga temperaturat ekstreme, por më të ndjeshëm janë të moshuarit dhe të rinjtë që punojnë në ndërtim apo në vende të mbyllura. “Sepse në disa vende nuk është ajrosja e mjaftueshme dhe ata mund të kenë shenja të marramendjes dhe të mundimit’’, ka thënë ai.

Nga Instituti Meteorologjik kanë bërë të ditur se nga e marta pritet përmirësim i kushteve atmosferike, me ulje të temperaturave. “Nga nesër do të ketë kushte meteorologjike më ndryshe. Do të sjellin reshje shiu, do të ketë edhe reshje të breshrit fatkeqësisht dhe stuhi lokale”, ka thënë Besim Aliu, meteorolog në IHMK.

E derisa temperaturat vijojnë të jenë ende të larta, mjeku Ismajli, ka apeluar për kujdes të shtuar. “Duhet të angazhojnë me turne me orë të caktuara, e jo një punëtor gjithë ditën në pikën e diellit. Të kenë veshje stabile për punë, me ngjyra të ndritshme, jo veshje të ngufatura, një shishe me ujë, dy, duhet ta ketë një punëtor i cili punon në ndërtim”, ka thënë mjeku Ismajli.

Po ashtu ka rekomanduar që në këtë fazë të motit me temperatura të larta të konsumohet ushqimi shtëpiak, në mënyrë që të shmanget mundësia e helmimit.

Burimi: Koha