Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë sërish në mbrojtje të Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, duke minimizuar akuzat ndaj tyre dhe duke vënë në dyshim bazën e ndjekjes penale ndaj tyre.
I pyetur për pretendimet se dy pjesëtarë aktivë të Xhandarmërisë serbe po ofrojnë siguri për Radoiçiqin dhe Veselinoviqin, Vuçiq tha se nuk ka informacione për një gjë të tillë, por njëkohësisht mbrojti Radoiçiqin, duke pretenduar se ai nuk ndiqet penalisht për vepra kriminale.
“Nuk kam asnjë informacion të tillë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Milan Radoiçiq ndodhet në listën e kuqe të Interpolit “jo për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”. “Dikush po e ndjek penalisht për shkak të Kosovës, jo për shkak të asaj që thoni ju”, deklaroi presidenti serb, duke hedhur poshtë pretendimet se Radoiçiq kërkohet për aktivitete kriminale.
Edhe kur u pyet për Zvonko Veselinoviqin, Vuçiq zgjodhi ta relativizojë çështjen, duke pyetur: “Për çfarë u ndoq penalisht Veselinoviq?”, pa komentuar akuzat dhe raportimet që e lidhin atë me krimin e organizuar. Milan Radoiçiq shfaqet në tubimin e Vuçiqit në Beograd Megjithatë, Vuçiq përsëriti se pjesëtarët aktivë të Xhandarmërisë nuk duhet të ushtrojnë një punë të dytë si sigurim privat.
“Nëse më pyesni nëse anëtarët aktivë të Xhandarmërisë mund të bëjnë dy punë, unë do të bëj çmos që kjo të mos ndodhë. Ke një rrogë të mirë në Xhandarmëri, bëje atë punë. Nëse nuk do të punosh, puno për një kompani private”, deklaroi ai.
Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e terrorist që kreu sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndërsa autoritetet në Beograd kanë refuzuar ta ekstradojnë në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, Zvonko Veselinoviq vazhdon të jetë një nga figurat më të përfolura të veriut të Kosovës, i përmendur prej vitesh në raportime dhe sanksione ndërkombëtare për dyshime mbi lidhje me krimin e organizuar./Telegrafi.
