Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti sot më kanë marrë pjesë në ceremoninë e pranimit të Komandës së Grupit për Mbështetje Rajonale në Ballkan të Ushtrisë Amerikane nga koloneli Kurt A. Rorvik në Kampin Bondsteel në Ferizaj. Rorvik mori detyrën e komandantit të Area Support Group Balkans.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Haxhiu ka vlerësuar se Kosova mbetet përherë mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin jetik në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.
“Në këtë rast të rëndësishëm, vlerësojmë shërbimin dhe përkushtimin e komandantit në largim, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm të Camp Bondsteel me institucionet e sigurisë, autoritetet civile dhe qytetarët e Kosovës”- ka thënë Haxhiu.
Ajo i ka uruar suksese në detyrën e re COL Rorvik, me besimin se bashkëpunimi ndërmjet komandës së Camp Bondsteel dhe institucioneve të Republikës së Kosovës do të vazhdojë të forcohet, në shërbim të sigurisë së vendit, stabilitetit rajonal dhe të mirës së qytetarëve tanë.
Ndërkohë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për këtë ceremoni thuhet se “roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe KFOR-it në përgjithësi ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon”.
Tutje thuhet se Grupi për Mbështetje Rajonale në Ballkan shërben në kuadër të Ushtrisë Amerikane për Evropën duke ofruar mbikëqyrje teknike, ekspertizë dhe ndihmë për Komandën Rajonale – Lindje në Kampin Bondsteel, në kuadër të KFOR-it.
