Partia Demokratike ka pasur ankesa për drejtësinë e re, deri në sharje e ofendime dhe barazim me kriminelët. “A e kuptoni që Altin Dumani është më keq se Nuredini? Drejton skapin e partisë, mbyll dosjet e Edi Ramës”, tha Berisha.
Por ndryshe nga vlerësimi i mëhershëm i Sali Berishës, kreu i grupit parlamentar demokrat i njeh merita Altin Dumanit për hetimin e ministrave socialistë, ndërsa sulmon kryetarin e ri të SPAK, Klodian Brahon, se ka krijuar një standard të dyfishtë në dosjen e Belinda Ballukut. “Në dhjetor 2025, kur Prokuroria kishte një tjetër drejtues, vendosi këtë standard.
Kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit. Sot, pas 6 muajsh kur kemi një drejtues të ri të SPAK, z. Braho nuk po e zbaton në Kuvendin e Shqipërisë. Pse i ka duart e lidhura? Drejtësia të mos veprojë politikisht” , tha Gazment Bardhi.
Gazment Bardhi i kërkon drejtuesit të SPAK të respektojë standardin e vendosur nga vetë Prokuroria, pasi e sheh si një test vendimtar të besueshmërisë në lidhje me çështjen Balluku. “SPAK t’i drejtohet pa vonesa Kuvendit me kërkesën për heqje të imunitetit të deputetit dhe të arrestimit”, tha Bardhi.
Kryetari i grupit të PD thotë se ka indicie për zvarritje për shkak të ndërhyrjeve politike.
