Mbledhja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ka kaluar mes tensionesh. Kryetarja Ina Zhupa tha se mazhoranca ka kryer “korrupsion legjislativ” pasi ka hartuar një paketë ligjore për ndërtimet në zonat e mbrojtura. Duke iu referuar “The Albanian Files”, Zhupa tha se ligji u ndryshua posaçërisht për t’iu përshtatur 523 projekteve.
“Ju e dini shumë mirë, që ky parlament ka bërë ligje mbasi Edi Rama ka publikuar librin. Dosjen shqiptare ku parashikonte ndërtime në zonat e mbrojtura pa ndryshuar ligji dhe për t’iu përshtatur atyre investimeve që kishte garantuar Edi Rama, ju keni bërë një paketë ligjore që u shkonte përshtat 523 projekteve, që pa këtë paketë ligjore do e kishin të pamundur të realizoheshin.
Ky është kulmi i nivelit më të lartë të korrupsionit, quhet korrupsion legjislativ, ligje të bëra me porosi”, tha Zhupa. Deklaratat e saj shkaktuan pakënaqësi te deputetët e mazhorancës që kërkuan rikthimin e diskutimit te çështjet e ditës. Bujar Rexha nga Partia Socialiste, u largua nga salla.
Zhupa tha se protesta që zhvillohet prej 29 ditësh përpara kryeministrisë i ka thënë qeverisë se “i erdhi fundi.” Më pas, nisi të paraqiste tre propozime, për të cilat kundërshtimit të sekretarit Arkend Balla për votimin e tyre, tha se “kanë frikë nga e vërteta.” Ina Zhupa: 523 projektet janë bërja e Shqipërisë të pajetueshme, dëbimi i shqiptarëve, shkatërrimi i çdo zone të mbrojtur dhe dhurimi i Shqipërisë tek miqtë dhe oligarkët për t’u përdorur nga elitat e pasura shqiptare dhe botërore.
Se këta jeni ju dhe këtë besoni ju. Po ajo protestë, në fakt, ka thënë gjënë më të rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme e asaj proteste është që ju erdhi fundi dhe realisht ju erdhi fundi. Arkend Balla: Fundi ju ka ardhur juve, pasi ju kanë marrë kauzat tuaja! Ina Zhupa: Kam tre sugjerime, në fund të procedurës.
E para, vizitat monitoruese në sitet e trashëgimisë natyrore të cilat sot rezultojnë si problematike për t’i parë të gjithë së bashku, si është realisht situata, sepse është interesi i përbashkët të jetë i mirë. Arkend Balla: S’i voton njëri këto propozime. Ina Zhupa: Mos i voto se ti ke frikë nga e vërteta.
