Përzgjedhësi i Holandës, Ronald Koeman beson se është “për të ardhur keq” që përballja me Marokun në Kupën e Botës po zhvillohet që në fazën e 1/16 së finales.
Dy kombëtaret do të ndeshen në Estadio Monterrey, pasi Holanda e mbylli grupin F në vendin e parë falë fitores ndaj Tunizisë, ndërsa Maroku siguroi vendin e dytë në grupin C pas triumfit 4-2 ndaj Haitit në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.
Kjo do të jetë hera e dytë që Holanda dhe Maroku përballen në një Kupë Bote, me holandezët që fituan takimin e parë në vitin 1994 me rezultat 2-1 falë golave të Dennis Bergkamp dhe Bryan Roy. Holanda ka kaluar në shtatë nga dhjetë ndeshjet e fundit me eliminim direkt në Kupën e Botës që nga viti 2010, megjithëse tri nga pesë të fundit kanë shkuar deri te gjuajtjet e penalltive.
Në përballjen e fundit të tillë, tulipanët u eliminuan nga Argjentina në çerekfinalen e vitit 2022. Koeman e vlerësoi lart kundërshtarin e tij, duke theksuar se të dy kombëtaret meritonin të takoheshin më vonë në turne. “Është vërtet për të ardhur keq që kjo ndeshje po zhvillohet kaq herët, sepse ne jemi dy skuadra që normalisht duhet të vazhdonin më tej në këtë turne”.
“Nëse humbet, shkon në shtëpi, por kjo vlen edhe për kundërshtarin. Tani e kuptojmë se jemi në fazën me eliminim direkt”. “Ata kanë një skuadër shumë të fortë në sulm, por Maroku ka edhe pikat e tij të dobëta. Ata lënë hapësira dhe me cilësinë që kemi në kundërsulme, mund t’i ndëshkojmë”.
Maroku është kombëtarja e tretë afrikane që arrin fazën me eliminim direkt në dy Kupa Bote radhazi, pas Nigerisë dhe Ganës. Luanët e Atlasit e përfunduan Kupën e Botës 2022 në vendin e katërt, pasi u bënë kombëtarja e parë afrikane që arriti deri në gjysmëfinale./ Telegrafi
