Një 32-vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit në një ngjarje të rëndë që ka tronditur Ferizajn mbrëmjen e së dielës. Lidhur me rastin, Policia dhe Prokuroria kanë arrestuar dy persona, babë e bijë, të dyshuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasjen e rëndë.
Burimet e hetuesisë bëjnë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë Muhamet Begisholli, rreth 48 vjeç, dhe vajza e tij Arjeta Roshaj, rreth 24 vjeç, të cilët po ngarkohen me dyshimet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Viktima është identifikuar si Florim Haxhidema, rreth 32 vjeç.
Trupi i tij i pajetë u gjet brenda një banese në katin e nëntë të objektit “Intercon C1”, në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj. Sipas informacioneve të para, ai kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit, ndërsa pranë trupit u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë së bashku me një gëzhojë, të cilat janë dërguar për ekzaminime forenzike.
Banesa ku ndodhi krimi i rëndë rezulton të jetë në pronësi të Muhamet Begishollit. Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij Hanife Roshaj dhe vajza Arjeta Roshaj, e cila ka pësuar edhe lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Repartin e Psikiatrisë në QKUK.
Ndaj saj është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa nëna e saj, Hanife Roshaj, po trajtohet si dëshmitare. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë. Mediat në Ferizaj kanë publikuar edhe fotografinë e viktimës.
