Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vrasjes që ndodhi mbrëmjen e së shtunës , 28 qershor, në Ferizaj, ku një 32-vjeçar u gjet i pajetë në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”. Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës është pranuar informata se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të një objekti banesor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe prokurori i shtetit për Krime të Rënda. Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes. Gjatë ekzaminimit, hetuesit kanë konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë. Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B., 48 vjeç, ku në momentin e incidentit ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza, A.R., 24 vjeçe. Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale “Vrasje e rëndë”. Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari M.B. është ndaluar për 48 orë. Vendim për ndalim prej 48 orësh është lëshuar edhe ndaj A.R., e cila vazhdon të jetë nën trajtim mjekësor në QKUK.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim me prokurorin e rastit, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
