Shpërndaje në: Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në orët e para të së hënës në pikën kufitare në Vërmicë. Sipas raportit të Policisë ai është goditur nga një veturë të cilën e drejtonte një shtetas i Shqipërisë. “Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante, ndërsa vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar.
Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin policor. Për vdekjen e pjesëtarit të Policisë kanë shkruar edhe familjarët.
“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri (vëllai) ynë Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë”, thuhet në njoftim. Tutje thuhet se për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë.
