Carlo Ancelotti ka kërkuar personalitet, qetësi dhe ide të qarta nga futbollistët e Brazilit para përballjes me Japoninë në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës.
Tekniku italian e cilësoi ndeshjen në Houston si “finalen e parë” të Seleçaos në këtë Botëror, duke paralajmëruar se kundërshtari nuk duhet nënvlerësuar, sidomos pas fitores 3-2 të Japonisë ndaj Brazilit në një ndeshje miqësore të zhvilluar në tetor. “Do të na duhet një mentalitet shumë i fortë, shumë zemër dhe ide të qarta.
Duhet të jemi të përgatitur për gjithçka që mund të ndodhë në një ndeshje me eliminim direkt, sepse në këto përballje mund të ndodhë vërtet çdo gjë”. “Besoj se skuadra është e gatshme, e motivuar dhe me vetëbesim. Dy ndeshjet e fundit kanë shkuar mirë dhe ne do të jemi të përgatitur për çdo situatë”.
Pavarësisht rëndësisë së madhe të takimit, Ancelotti u përpoq të ulte presionin mbi lojtarët e tij. “Në fund të fundit, mbetet një ndeshje futbolli, edhe pse është pjesë e një eventi të jashtëzakonshëm si Kupa e Botës”. “Duhet të dish si ta menaxhosh presionin duke qëndruar i fokusuar te ajo që duhet bërë në fushë.
Do të duhet të kujdesemi për çdo aspekt të lojës, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, duke luajtur si ekip”. “Po përballemi me një kundërshtar të fortë, të organizuar dhe me cilësi, ndaj të kesh ide të qarta do të jetë vendimtare”, deklaroi ai. Trajneri brazilian beson se përvoja e futbollistëve të tij mund të bëjë diferencën në një sfidë të tillë. “Është një faktor shumë i rëndësishëm.
Brazili ka shumë lojtarë me përvojë të madhe, të cilët e dinë saktësisht se si duhet përgatitur dhe luajtur në ndeshje të këtij niveli. Pikërisht për këtë arsye jam shumë i sigurt”. Kujtojmë, përballja mes Brazilit dhe Japonisë do të nisë nga ora .
