Nga: Augustin Palokaj Shpërndaje në: Ky Botëror i futbollit ka thyer shumë rekorde që në fazën eliminatore. Por rekordi më i keq është pa dyshim ai i çmimit të biletave të shitura në mënyrë të amerikanizuar. Kjo ua bëri të pamundur tifozëve tradicionalë që të jenë nëpër stadiume në këtë Botëror.
Kisha ardhur në Philadephia, qytetin që e quajmë “Vlora e Amerikanëve”, jo për ta vizituar në 250-vjetorin e pavarësisë së Amerikës që u shpall në këtë qytet, por për të parë një ndeshje të Kroacisë në këtë Botëror të futbollit. Një ditë para ndeshjes Kroaci-Gana rrugët ishin mbushur me tifozë. Dominonin ata me fanella të Kroacisë. Por, për çudi shumë prej tyre nuk flisnin kroatisht.
Mendoja se janë nga diaspora e vjetër kroate dhe gjeneratat e reja nuk e flasin gjuhën e paraardhësve të tyre. Por jo. Me fanella kroate ishin shumë amerikanë, japonezë, kolumbianë, kinezë, meksikanë dhe të tjerë. Thjesht ata i kishin siguruar biletat për këtë datë për ndeshje në Philadelphia para se të bëhej e ditur se kush do të luante.
Dhe kur panë se do të luajë Kroacia, vendosën që këtë përvojë të paharrueshme në jetën e tyre, pra që të jenë në një ndeshje të Botërorit, ta ndiejnë duke e mbështetur Kroacinë. Kishte edhe të tillë që e pëlqejnë vendin e vogël që në tre Botërorë fitoi medalje, një herë të argjendtë dhe dy herë të bronztë.
Por në stadium, përkundër atmosferës së mirë, nuk kishte tifozëri të zjarrtë, çfarë shihet zakonisht kur luan Kroacia. Sepse në mesin e tifozëve nuk kishte tifozë tradicionalë të vërtetë për të cilët ndeshja e futbollit është betejë e jo vetëm zbavitje. Dhe këtu vijmë deri te dallimi i këtij Botërori në krahasim me ato të deritashme.
Pasi zhvillohet kryesisht në Amerikë, ky kampionat shihet si “entertainment“, pra si zbavitje. Dhe, duke ndjekur shembullin e Amerikës për shitjen e biletave në ngjarjet e tilla, që shihen si zbavitje, FIFA kishte vendosur që të shesë biletat sipas modelit “dynamic pricing”. Pra caktohet minimum i çmimit të biletave dhe pastaj ai rritet bazuar në kërkesat.
Kjo bëri që biletat për një ndeshje të shkojnë në mbi 10 mijë euro, ndërsa ato “të lira” të silleshin rreth 800 deri në 2400 euro. Dhe këto nuk ishin çmimet në tregun e zi të stërshitjes, por në platformën zyrtare të FIFA-s.
Ndaj kritikave, presidenti i FIFA-s Giani Infantino u mbrojt duke thënë se “këto janë edhe çmime normale, apo edhe të lira, krahasuar me industrinë e ngjarjeve zbavitëse në Amerikë”. Se çfarë “tifozë” arrijnë të sigurojnë bileta në stadium, shihet kur më shumë bërtasin atëherë kur yjet si Ronaldo apo Messi prekin topin sesa kur ndonjë lojtar tjetër shënon gol.
Sepse për ta kjo është zbavitje. E miliona, apo qindra miliona tifozë të vërtetë, grisin thonjtë duke shikuar ndeshjet në TV. Ky Botëror i futbollit ka thyer shumë rekorde që në fazën eliminatore. Por rekordi më i keq është pa dyshim ai i çmimit të biletave të shitura në mënyrë të amerikanizuar. Kjo ua bëri të pamundur tifozëve tradicionalë që të jenë nëpër stadiume në këtë Botëror.
Futbolli është bërë shumë i popullarizuar edhe në Amerikë dhe për këtë nuk ka dyshim. Tashmë shumë amerikanë i dinë edhe rregullat dhe nuk pyesin më “pse njeriu me të verdha (portieri) mund ta kapë topin me dorë e të tjerët jo”. Por, amerikanët e pranojnë se ky sport është akoma më shumë evropian, e madje edhe afrikan e latino-amerikan sesa i Amerikës.
Në New York më shumë flitet akoma për fitoren e Nicksave në NBA në basketboll sesa për Botërorin që po luhet dhe në atë qytet. Nuk ka pasur nevojë futbolli të amerikanizohet përmes rritjes marramendëse të biletave. Sepse në këtë mënyrë futbolli po bëhet sport për elitat dhe më të pasurit në stadium, ndërsa tifozët e vërtetë mbetet ta shikojnë në TV.
Kjo metodë e caktimit „dinamik“ të çmimeve për Botëror ka rrezik të shndërrohet në rregull dhe të përsëritet edhe pas katër vjetësh kur Botërori do të zhvillohet në Maroko, Spanjë dhe Portugali. Sepse kur FIFA të mësohet të fitojë miliarda euro në këtë mënyrë vështirë se do të ndërrojë mënyrën e shitjes.
Se të ardhurat e jo interesi i tifozëve është parimi kryesor i këtij Botërori shihet edhe pauza e vendosur në gjysmën e secilës pjesë të lojës, kinse për “hidratim”. Madje edhe kur bie shi, lojtarët marrin pushim për “hidratim”. Kjo më parë quhej “pauzë për freskim“ dhe e bënte referi vetëm kur temperaturat ishin të larta.
Tash janë të rregullta, kanë kohëzgjatjen e caktuar dhe në kohën e caktuar e bëhen edhe kur bie shi, apo kur loja është në stadium të mbuluar dhe klimatizuar. Kjo është vetëm e vetëm për reklama. Dhe në TV amerikane së paku janë të sinqertë dhe thonë “Tani do të kemi Lenovo break” apo “Visa break”, pra pauza të sponsorizuara nga sponsorët e Botërorit.
Kjo e prish dinamikën e lojës dhe i bën nervozë jo vetëm tifozët, por edhe vetë lojtarët, sepse shpesh ua humb ritmin. Madje në një lojë komentatori zyrtar pati thënë se “përfundon kështu çereku i parë i lojës”, edhe pse futbolli akoma luhet në dy pjesë nga 45 minuta. Dikur edhe basketbolli luhej dy herë nga 20 minuta, por tash luhet në katër pjesë.
Ndoshta tash edhe futbolli do të luhet në katër pjesë, me shumë pauza për reklama. Nga ana tjetër, ky Botëror përkundër çmimeve të larta, tashmë ka shënuar rekordin për nga numri i shikuesve, ka shumë rekorde të tjera, si ai i golave të shënuar nga një lojtar në historinë e botërorëve.
Kanë shënuar rekord edhe skuadrat nga Afrika, sepse 9 nga dhjetë sa morën pjesë kaluan në fazën eliminatore, të gjitha përveç Tunizisë. Kjo flet po ashtu se sa më të barabarta tash janë kombëtarët sesa që ishin dikur dhe se sot nuk ka më skuadra të dobëta. Kosova nuk pati fat kësaj radhe, Shqipëria edhe më pak, përndryshe do të kishin pasur shumë mbështetje.
Këtë e thanë edhe disa shqiptarë të Amerikës që takova në ndeshjen e Kroacisë. Së paku për vendimin që të rritet numri i pjesëmarrësve në Botëror duhet lavdëruar FIFA-n. Kjo u dha mundësi skuadrave për të cilat pakkush kishte dëgjuar që të dëshmohen se sa të forta dinë të jenë në futboll. Në këtë aspekt u shënuan rekorde pozitive.
Dhe këto rekorde do të tejkalohen edhe në pjesën e mbetur të kampionatit, i cili ka hyrë në fazën eliminatore.
