Pajisjet e reja në Klinikën e Nefrologjisë jashtë funksionit

0%

Një hulumtim i RTK-së i publikuar para pak ditësh konfirmoi se në Klinikën e Nefrologjisë nuk po funksionojnë mikroskopi për analizën e urinës i blerë gjatë vitit 2024, si dhe pajisjet për procedurat e biopsisë së veshkës të sjella në klinikë në fund të vitit të kaluar.

Dokumente të reja të siguruara nga RTK tregojnë se shqetësimet për këto shërbime kishin arritur deri tek Bordi Drejtues i SHSKUK-së.

Gjatë muajit prill, Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës kishte shqyrtuar situatën në Klinikën e Nefrologjisë, pas një raporti të një komisioni ad hoc, me ç’rast ishin dhënë rekomandime konkrete për funksionalizimin urgjent të pajisjeve në Klinikën Nefrologjike. Dokumentin e ka siguruar RTK përmes burimeve të saja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas vendimit të nënshkruar nga atëherë kryetarja e Bordit Drejtues, Tetore Olloni, kërkohet funksionalizimi i biopsisë së veshkës, aplikimi i vazhdueshëm i plazmaferezës dhe aktivizimi i mikroskopit për analizën e urinës. Vendimi obligon edhe menaxhmentin e Klinikës së Nefrologjisë që rekomandimet të zbatohen menjëherë.

Megjithatë, një muaj më vonë, RTK konfirmoi se një pjesë e këtyre shërbimeve vazhdojnë të mos funksionojnë. Në pyetjen se çfarë bëjnë pacientët që kanë nevojë sot për biopsi të veshkës apo diçka tjetër, përgjigja e stafit të kësaj klinike ishte se ata për momentin po rekomandohen jashtë kësaj qendre.

RTK kërkoi sqarime nga SHSKUK se pse rekomandimet e bordit nuk janë zbatuar dhe kush mban përgjegjësi. Në një përgjigje me shkrim, anëtarja e Bordit Drejtues, Tetore Olloni, refuzoi të japë intervistë, duke u thirrur në rregulloren e punës së bordit dhe duke theksuar se nuk mund ta komentojë çështjen.

Ajo theksoi se bordi funksionon si organ kolegjal dhe se zbatimi i vendimeve raportohet nga njësitë përgjegjëse, mirëpo nuk dha sqarime konkrete se pse rekomandimet nuk janë zbatuar plotësisht dhe kush mban përgjegjësi.

Burimi: Bota Sot