Të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc duhet të jenë pjesë e diskutimeve në forumet ndërkombëtare, ka deklaruar afaristi dhe humanisti Muharrem Salihu gjatë galasë ndërkombëtare të bamirësisë “Nessuno si salva da solo”, të organizuar nga ELTIQ në Romë.
Në fjalimin e tij, Salihu trajtoi sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke veçuar diskriminimin institucional, fenomenin e pasivizimit të adresave, nevojën për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe rëndësinë e respektimit të standardeve evropiane.
Ai theksoi se stabiliteti afatgjatë i Ballkanit ndërtohet mbi barazinë, drejtësinë dhe respektin reciprok, ndërsa e ardhmja e rajonit, sipas tij, është e pandashme nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.
Salihu bëri të ditur se gala mblodhi përfaqësues të institucioneve italiane dhe ndërkombëtare, diplomatë, akademikë, personalitete të biznesit, përfaqësues të Selisë së Shenjtë dhe të shoqërisë civile. “Zëri i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet të dëgjohet në çdo forum ndërkombëtar.
Kjo nuk është vetëm një çështje e të drejtave të shqiptarëve, por një provë e vlerave mbi të cilat është ndërtuar Evropa”, ka shkruar Salihu pas aktivitetit.
