Nga: Ardit Kika Shpërndaje në: Serbia nuk ka ndryshuar në krahasim me vitet 90-ta për nga përpjekjet për t’i paraqitur shqiptarët dhe Kosovën si çerdhe të ekstremizmit islamik, vlerësojnë njohësit. Krahas dëmtimit të imazhit të Kosovës, drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, thotë se Serbia synon ta prishë edhe solidaritetin ndërfetar mes shqiptarëve.
Serbia ka interes për rrymat radikale fetare në Kosovë me qëllim që ta dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, vlerësohet në një raport të organizatës PREVENT e nga disa njohës. Javën e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë konstatoi se Hysri Selimi iu bashkua ISIS-it me udhëzime të BIA-s serbe, por edhe e informonte këtë shërbim lidhur me rrymat radikale islame në Kosovë.
Konstatimi se Serbia ka interesim për rryma radikale fetare në Kosovë nuk e befason, drejtor i Institutit KIPRED, Lulzim Peci. Ai vlerëson se Serbia, por edhe Rusia, që nga vitet e 90-a kanë bërë përpjekje fillimisht t’i paraqesin shqiptarët e më pas edhe Kosovën si çerdhe e ekstremistëve islamikë në arenën ndërkombëtare.
“Kjo informatë atyre u duhet shumë më tepër për ta baltosur Kosovën dhe për ta paraqitur si vend të pasigurt dhe vend i cili ka inklinime të radikalizmit islam. Edhe pse një numër jo i vogël i njerëzve nga Kosova ka shkuar në Siri, ai nuk është problemi kyç i Kosovës – nuk mund t’i jepet Kosovës ai karakter…
Në fund të fundit Kosova e ka luftuar shumë radikalizmin islam, po flasim për institucionet shtetërore…Pika fillestare e Serbisë dhe pika ku është sot është e njëjtë, mirëpo ju duhen elemente të këtilla për ta proklamuar Kosovën në këtë formë dhe për ta paraqitur shtetësinë e Kosovës dhe vetë shtetin e Kosovës si vend jo-stabil i cili është i ndërlidhur me radikalizmin islam e kështu me radhë”, ka thënë Peci.
Një synim tjetër i fqinjit të Kosovës, sipas tij, është edhe përçarja e shqiptarëve. Peci thotë se kjo bëhet në mënyrë që ta cenojë harmoninë ndërfetare në mes të shqiptarëve.
“Shqiptarët i kanë katër religjione dhe ka qenë zgjidhja e vetme që për ta krijuar një emërues të përbashkët për të krijuar nacionalizmin shqiptar dhe për të krijuar bashkimin e të gjitha elementeve fetare brenda saj.
Ato nuk kanë mundur të bashkohen nëse nuk i ishte dhënë kulmi sekular të gjithë kësaj pune e pikërisht këtë lëvizjet radikale islame i kanë goditur pikërisht këto shtylla për shembull e dimë se si është baltosur Skenderbu, Nëna Terezë e sidomos figurat e religjionit katolik që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të qenë shqiptarët ata çfarë janë sot”, ka shtuar ai.
Portretizimi i Kosovës si vatër ekstremizmi është mjet që e ka artikuluar edhe haptas diplomacia serbe, siç tregon edhe raporti “Nga deziformimi serb tek faktet” të organizatës PREVENT. Sipas raportit me autor Skender Përteshin, edhe krerët e diplomacisë serbe i kanë hedhur narrativat e tilla edhe në media, duke e lidhur e fajësuar Kosovën me incidente që ndodhën në Serbi.
“Një shembull tjetër klasik i dezinformimit të opinionit publik dhe i tentativës për të dëmtuar imazhin e Kosovës është rasti i sulmit terrorist ndaj ambasadës izraelite në Beograd, në qershor të vitit 2024, ku u plagos rëndë një pjesëtar i strukturave të sigurisë së Serbisë. Sulmi terrorist u dënua gjerësisht nga të gjitha palët, pa dallim.
Megjithatë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, u përpoq ta lidhte këtë akt terrorist me Kosovën, duke bërë propagandë dhe dezinformim se autori i sulmit, Senad Ramoviq Beqan, kishte ndihmuar për të ikur dhe për t’u fshehur në Kosovë. 25 Ky pretendim ishte tërësisht i pavërtetë dhe kishte për qëllim dëmtimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e paraqitur atë si një vend që mbështet terrorizmin.
Në realitet e vërteta ishte krejt ndryshe”, thuhet në raportin e Institutit për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT. Raporti i institutit PREVENT, tregon se sulmet terroriste së fundi në Kosovë kanë kryer pikërisht organizata që i mbështet Serbia.
Sipas kësaj analize ndërmjet viteve 2021 dhe 2024, anëtarë të organizatave si “Mbrojta Civile” dhe “Brigada e Veriut” kanë ndërmarrë mbi 17 sulme terroriste. Sulmet nga këto dy organizata tashmë terroriste në Kosovë, kanë pasur cak institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, popullatën civile dhe infrastrukturën kritike të vendit.
