Për diplomacinë dhe qytetarinë është shkruar dhe do të shkruhet, duke ditur rëndësinë dhe vlerën instrumentale dhe ndërlidhëse të saj. Të dyja kanë rol dhe janë shtyllat e një shoqërie që mbajnë peshën edhe ekilibrin e shtetit. Sa është i qytetëruar një popull, aq sa shihet në atdhe, edhe më kthjellët shihet në mërgatë, jashtë dhe larg tokës së dashur.
Populli thotë se guri peshon rëndë në vend të vet por njerëzit që e duan vendin e vet marrin peshën e vendit me gjithë vlerat e trashëguara edhe kur jeta i çon larg vendlindjes. Në regjionet e Italisë veriore jeton një numër jo i vogël i mërgimtarëve kosovarë, ku në dhjetëvjetëshat e fundit janë rrënjosur me familjet e tyre duke u integruar në shtetin italian.
Fillimisht veprimtarët e shumtë kulturorë, e viteve të fundit edhe veprimtarët afaristë, me angazhimin e tyre kanë ngritur emrin e Republikës së Kosovës në pika të larta të respektit dhe të mirënjohjes.
Shoqatat kulturore me aktivitetet programore patriotike dhe me shkollat e mësimit plotësues kanë qenë urë lidhëse midis atdheut dhe mërgatës duke ndihmuar edhe në integrimin e tyre në ambientet italiane.
Kurse afaristët kosovarë me sukseset e tyre, kanë dëshmuar se puna është jo vetëm vlerë fundamentale e nenit të parë të Kushtetutës italiane por edhe vlerë e shtuar e komunitetit shqiptar i cili nuk shërben vetëm si fuqi punëtore por edhe si faktor i rëndësishëm me firma të konsoliduara e të integruara në sistemin produktiv italian duke filluar nga sektori i ndërtimeve deri te tregtia internacionale.
Shoqata kulturore shqiptare “Shën Nëna Terezë” nga Treviso, e mirënjohur për punën e saj patriotike, organizoi një takim përshëndetës me diplomatin Diamant Kastrati, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano. Konsulli Kastrati i cili është në përfundim të detyrës së tij, ishte i ftuar nga kryetari i shoqatës prof.
Bajram Desku me bashkëpuntorë, për të nderuar angazhimin e tij si dhe bashkëpunimin me mërgatën dhe me autoritetet italiane.
Me këtë rast kryesia e shoqatës në bashkëpunim me afaristët e dëshmuar që janë mbështetësit besnikë të veprimtarive shoqërore dhe kulturore organizuan darkë solemne në restorantin ”Boschetto” të bashkatdhetarit të nderuar Bedri Suka, ku ishin ftuar edhe veprimtarë të shumtë nga shoqata të ndryshme shqiptare.
Në një ambient të ngrohtë familjar takimin e hapi mikpritësi Bajram Desku i cili i përshëndeti konsullin Diamant Kastrati dhe bashkëshorten e tij zonjën Merita Gashi-Kastrati, si dhe përfaqësuesit e shoqatave, afaristët, veprimtarët e dalluar, prindërit e nxënësve të shkollës shqipe dhe të gjithë kontribuesit e komunitetit shqiptar.
Ai foli me respekt për takimin e parë zyrtar me konsullin dhe për aktivitetet e përbashkëta duke numëruar e radhitur punët e mira që lanë shenjë në pasqyrimin dhe rritjen pozitive të vlerave të mërgatës në Itali. Konsulli Kastrati gjatë katër viteve të misionit të tij në Milano dy herë e ka organizuar festën e pavarsisë së Republikës së Kosovës në Milano e dy herë tjera në Treviso.
Poashtu ka marrë pjesë aktive organizimin e panairit të ushqimeve dhe traditave tona në Quinto di Treviso dhe në aktivitetet e shumta të shoqatave kulturore në gjithë territorin e veriut të Italisë duke i mbështetur në forma të ndryshme dhe duke ndihmuar në suksesin e plotë.
Komuniteti shqiptar në Itali vlerëson shumë ndihmë e madhe të konsullit Kastrati i cili u bë zëdhënës i kërkesës madhore të mërgimtarëve kosovarë për hapjen e një konsullate në Trevizo, e cila kishte dhjetë vite që priste pas dorëzimit të një peticioni me mijëra nënshkrime shtetit të Kosovës.
Ai duke parë se vazhdonte vendosshmëria e mërgimtarëve në kërkesën e tyre legjitime, pasi ishte informuar nga kryetari shoqatës Bajram Desku, si dhe nga organizatorët e peticionit të atëhershëm dhe nga veprimtarët e shumtë, bazuar edhe në nevojën që shteti ynë të jetë sa më afër qytetarëve të vet në mërgatë, ringjalli edhe njëherë këtë kërkesë dhe në bashkëpunim me personat kompetentë dhe vullnetmirë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, u arrit që të hapet në Treviso, Zyra mobile e Konsullatës së Milanos.
Kjo u realizua falë angazhimit edhe të dy vëllezërve afaristë të mirënjohur, Albert dhe Sabit Bashota të cilët ofruan falas lokalin afarist të tyre në Mignagola të Trevizos.
Pa harruar të përmendim edhe afaristët tjerë shqiptarë dhe italianë që poashtu falas ofruan mundësinë që Zyra konsullore kosovare të hapej në lokalet e tyre: Fabrika e pompave me piston “Luigi Catterin” në Quinto di Treviso, Don Stefano nga Parrokia e kishës në Quinto, Hetem Zogaj me firmën “AZ Construzioni” në San Biaggio di Callalta (TV) dhe z. Bekim Bajraktari.
Kjo zyrë konsullore është hapur solemnisht qysh në shtator të vitit 2024 dhe konsulli çdo muaj vinte nga Milano për të qenë sa më afër kërkesave dhe nevojave të mërgimtarëve për dokumenta.
Kryetari Bajram Desku i shprehu falenderimin e komunitetit për punën dhe bashkëpunimin e sinqertë e me përkushtim si diplomat dhe përfaqësues i denjë i Republikës së Kosovës, duke ia dhuruar një pllakë mirënjohjeje në emër të shoqatës “Nënë Tereza”.
Edhe veprimtarë tjerë folën me respekt për veprimtarinë e konzullit dhe për përkrahjen e tij të gjithanshme, duke filluar nga Albert Bashota, Imer Berisha nga Treviso,Valdete Llumnica-Muçolli e Gëzim Muçolli nga Padova, Ragip Thaqi nga Bassano del Grappa, Miradije Zymeri- Avdullahu nga Arzignano, Bardhul Durmishi nga Trento, Hamit Kurti, Mefail Thaqi nga Gorizia, etj.
Përshëndetje plot respekt dhe flalë dashamirëse për konsullin kishin dërguar edhe veprimtarë tjerë që kanë bashkëpunuar si Imer Kurtaj nga Grupi artistik i valleve Drenica i cili tashmë jeton në Gjermani, pastaj Avdi Beqiri themelues i Shoqatës kulturore “Bashkimi Kombëtar” në Bassano, etj.
Në shenjë falenderimi zotëri Diamant Kastratit konsullit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Milano, iu drejtua edhe dr.
Valdete Llumnica-Muçolli nga Padova, me fjalë përshëndetëse plot respekt që përmbledhin vlerësimin e veçantë të mërgatës sonë: Sot në përfundim të mandatit tuaj në misionin diplomatik kosovar në Itali, duhet nënvizuar faktin se ardhja juaj në këtë shtet dhe veprimtaria juaj e frytshme, dëshmoi se vendi ynë ka njerëz të aftë dhe të përgatitur.
Ju keni dëshmuar vlera të larta të profesionit delikat siç është diplomacia dhe me angazhimin, moralin dhe profesionalitetin e juaj jeni bërë pikë referimi jo vetëm për mërgatën dhe aktivistët e nderuar të saj por edhe për instituciopnet administrative lokale, regjionale dhe shtetërore italiane.
Puna juaj ishte dëshmi dhe rivlerësim pozitiv i përpjekjeve integruese dhe ndriçuese të mërgatës sonë dhe ishte evolucion i vazhdueshëm i një procesi ambicioz që u konsolidua në realizimin e projekteve të rëndësishme në Milano, Treviso, Padova, Viçenca, Bassano, Montebelluna, Trieste, Trento, etj.
Ju falenderojmë për vizionin dhe programin tuaj strategjik dhe patriotik dhe ju dëshirojmë suksese në vazhdim të punës në atdhe.
Konsulli Kastrati në fund tha se në këtë mbrëmje mes miqëve dhe bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të mërgatës tonë të mrekullueshme në pjesën veriore të Italisë ndihet thellësisht mirënjohës për këto momente të veçanta dhe falënderues për respektin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Faleminderit të gjithëve.
Ai ndau mirënjohje dhe çertifikata nderi për veprimtarët dhe afaristët e nderuar të mërgatës. Poashtu pranoi edhe dhurata të ndryshme dhe libra nga miqtë me të cilët kishte bashkëpunuar frytshëm duke realizuar modelin e suksesshëm të punës që duhet ta ndjekin edhe diplomatët tjerë në shërbim të kombit.
