Konsultimet ishin të rregullta dhe të domosdoshme. Komunikimet mbaheshin përmes kanaleve të hapura dhe të fshehta, po ky i fundit ishte disi i veçantë. Rama qëndronte gjithmonë në anën e Vuçiqit, sidomos kur ishin në pyetje nismat rajonale siç ishte ajo me Ballkanin e Hapur, Veriun e Kosovës, Asociacionin, e shumë gjëra të njohura e të panjohura publike.
Sa u përket çështjeve globale, Rama po ashtu qëndronte fuqishëm pas veprimeve të Vuçiqit. Sidomos e mbronte ndaj kritikave të perëndimit, kur ishin në pyetje sanksionet ndaj Rusisë, apo e arsyetonte pozicionin e tij, sidomos kur rrezikohej të merreshin masa ndaj tij.
Përpos që Rama e merrte nën mbrojtje Vuçiqin dhe politikën e tij ndaj fqinjëve, e sidomos ndaj Kosovës, ata së bashku i zgjeronin po ashtu nismat globale, siç ishin ato sa u përket raporteve me EU.
Është bërë e njohur po ashtu se ata me një shkresë të përbashkët, i ishin drejtuar edhe EU ku i paraqitnin pikëpamjet e tyre dhe idetë për afrimin e Shqipërisë dhe Serbisë me EU, por edhe pikëpamjet për Ballkanin në përgjithësi, pikërisht sipas qëndrimeve Rama – Vuçiq. Me një fjalë koordinoheshin për gjithçka mes vete.
Kur është fjala te koordinimi, është me rëndësi të shqyrtohet edhe paralajmërimi i tashëm i Vuçiqit, se brenda disa javësh do ta ofroi dorëheqjen. Nuk është e njohur se sa herë Vuçiqi deri më sot e ka ofruar dorëheqjen, por është vështirë t´i besohet se çka ai deklaron në mëngjes, e çka deklaron në mbrëmje.
Paralajmërime për dorëheqje, ka bërë ai disa herë brenda çdo viti, po kjo s´ka ndodhur asnjëherë, pra as sinjalizimin e tashëm, se brenda disa javëve do ta paraqes dorëheqjen, nuk e beson tashmë askush. Mund të jetë më se e vërtetë, Vuçiqi me siguri ka kryer konsultime me Ramën, mbi paraqitjen e dorëheqjes së tij.
Këtë mund ta merr me mend secili, pasi gjithnjë është thënë e shkruar në media se: Rënia e njërit, do të ishte edhe fundi i tjetrit.
Edhe analistët, por edhe mediat dhe institutet e ndryshme, do ta kenë shumë vështirë që të vijnë deri te e vërteta se çfarë fshihet pas paralajmërimit të Vuçiqit mbi dorëheqjen, por konsultimi i tij me Ramën, len për të supozuar se mos është kjo një strategji e përbashkët e tyre, për të mbijetuar.
Shqiptarët po hyjnë në javën e pestë të protestës dhe përshtypjet e tyre të deritashme ishin: Rama ka përdorë të njëjtën gjuhë sikurse Vuçiqi ndaj protestave në Serbi, prandaj nuk shohin gatishmëri se ky po reflekton, që ta shpëtoi vendin.
Përkundrazi po binden se diktatorët dhe autokratët, posedojnë të njëjtën gjuhë, të njëjtin stil dhe të njëjtën sjellje, prandaj janë skeptik se edhe ky, sikurse Vuçiqi, do t´i mbaj peng me muaj, e kushedi me vite. Supozohet se Vuçiqi do ta ketë sugjeruar Ramën që ndaj protestuesve ta përdor forcën, t´ua lëshoi në shpinë policinë, njësinë speciale dhe ushtrinë.
Kjo mund të jetë porosia më e dashur, e vëllait për vëllain.
