Policia e stacionit në Ferizaj, njofton se më , ka pranuar një informacion se në fshatin Jezerc, në vendin e quajtur “Livadhet e Kishës”, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në një vilë. Me këtë rast, bëhet e ditur se Njësia e Hetimeve, së bashku me Njësinë Reaguese, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar pronarin e vilës dhe personat e pranishëm.
Gjatë kontrollit, te i dyshuari B.O (30 vjeç) është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri (pistoletë), me një karikator që përmbante tre fishekë, si dhe dy gëzhoja. I dyshuari ka pranuar se kishte shtënë dy herë me armën e zjarrit, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe gëzhojat.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe me autorizim të tij është intervistuar i dyshuari. Ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore.
