Komisioni Evropian propozon që shtetasit ukrainas në moshë për shërbim ushtarak të përjashtohen nga statusi i mbrojtjes. Disa shtete anëtare janë pro këtij propozimi. Edhe Ukraina gjithashtu.
“Propozimi ynë parashikon që të sapoardhurve, të cilëve sipas ligjit ukrainas u ndalohet të largohen nga Ukraina për shkak të detyrimeve të tyre ushtarake, të mos u jepet mbrojtje e përkohshme,” shpjegoi komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, duke paraqitur ndryshimin e planifikuar në statusin e mbrojtjes për ukrainasit në BE.
Statusi i mbrojtjes për qytetarët ukrainas në parim duhet të mbetet në fuqi, tha pas një takimi të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg, por mund t’i vendosen kushte të reja. Statusi i mbrojtjes pa shqyrtim individual Që nga marsi 2022, qytetarët ukrainas që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës agresore ruse gëzojnë mbrojtje të përkohshme në BE.
Ky status mbrojtjeje, relativisht pa shumë burokraci, vlen deri në fillim të marsit 2027 dhe pritet të zgjatet në kohë. Ndryshimi nga procedura e azilit qëndron në faktin se këtu nuk bëhet një shqyrtim individual i çdo rasti dhe se mbrojtja është e përkohshme. Propozimi që paraqet Komisioni Evropian është formuluar në mënyrë gjinore neutrale, thekson një zyrtar i BE-së.
Megjithatë, në praktikë, kjo rregullore ka të ngjarë të zbatohet veçanërisht për burrat ndërmjet moshës 23 dhe 60 vjeç. Risia – e cila nuk pritet të vlejë për ukrainasit që tashmë ndodhen në BE – do të hyjë në fuqi vetëm pasi Këshilli i BE-së ta ketë miratuar zyrtarisht propozimin dhe ai të jetë publikuar në Gazetën Zyrtare, theksuan zyrtarët e Komisionit.
Sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Statistikave, Eurostat, më 31 mars kishte gjithsej 4,33 milionë ukrainas me këtë status të veçantë mbrojtjeje në BE. Prej tyre, gati 1,3 milionë persona (29,4 për qind e totalit në BE) ndodheshin në Gjermani, e ndjekur nga Polonia me pak më shumë se 950.000 (22,2 për qind) dhe Çekia me rreth 380.000 persona (8,8 për qind).
Pak më shumë se një e katërta e tyre janë burra të rritur ukrainas, sipas autoriteteve të BE-së. Këshilli i Evropës kritikon planet e Komisionit Michael O’Flaherty, komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës – i cili nuk është institucion i BE-së – e kritikoi propozimin.
Ai shprehu shqetësim për “presionin në rritje për t’i ndërprerë para kohe masat e mbrojtjes së përkohshme” dhe për të kufizuar aksesin, ndër të tjera, për burrat në moshë për shërbim ushtarak. Tani është koha për “më shumë solidaritet, dhe jo më pak,” tha O’Flaherty.
BE e arsyeton propozimin me faktin se Ukraina e kishte kërkuar këtë dhe se nevoja për t’u mbrojtur, si dhe vendosja e detyrimeve ushtarake për popullsinë e saj, janë legjitime. Ky propozim është koordinuar edhe me shtetet anëtare, tha komisioneri i BE-së Brunner të premten.
Gjermania dhe Austria pro ndryshimit Ministrat e Brendshëm të BE-së e diskutuan këtë çështje që në fillim të muajit në një takim në Luksemburg. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, u shpreh pro përjashtimit të burrave në moshë për shërbim ushtarak nga statusi i mbrojtjes.
Megjithatë, politikani i CSU-së theksoi se personat e prekur do të mund të paraqesin ende një kërkesë për azil. Edhe ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, deklaroi se është “shumë fort” në favor të përfundimit të mbrojtjes automatike për burrat në moshë për shërbim ushtarak. Skeptik u shpreh ministri i Brendshëm i Estonisë, Igor Taro.
Ai e cilësoi si zgjidhjen më të mirë zgjatjen e direktivës për mbrojtje të përkohshme në formën aktuale dhe pa përjashtime, por gjithashtu u shpreh në favor të zhvillimit të bisedimeve me Ukrainën. Pse BE debaton tani?
Nga njëra anë, zgjatja e masave është gjithsesi në rend të ditës, u shpreh ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, CSU; nga ana tjetër, “në muajt e fundit është rritur edhe numri i personave në moshë për shërbim ushtarak”. Në parim, për meshkujt ukrainas nga mosha 23 deri në 60 vjeç vlen ndalesa e daljes nga vendi.
Ata janë të detyruar për shërbim ushtarak që nga mosha 18‑vjeçare, por mund të thirren për shërbim lufte vetëm nga mosha 25 vjeç, raporton agjencia dpa. Largimi nga vendi i meshkujve ndërmjet 18 dhe 23 vjeç është lejuar që nga vera e kaluar, kjo përkohësisht çoi në një rritje të numrit të meshkujve që largohej nga vendi. Diskutimi nuk është krejt i ri.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka shprehur disa herë që Ukraina të mos lejojë largimin e burrave të rinj në moshë për shërbim ushtarak, në mënyrë që ata të mund të shërbejnë në Ukrainë.
Edhe në muajin prill, gjatë vizitës së tij në Berlin, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj theksoi se kthimi i burrave në moshë për shërbim ushtarak është gjithashtu në interes të forcave të armatosura ukrainase. Në fund të fundit, bëhet fjalë për një “çështje drejtësie”. Propozimi i paraqitur nga Komisioni duhet të miratohet nga një shumicë e shteteve anëtare.
Zyrtarë të BE-së thanë se në të kaluarën vendime të tilla janë marrë “shumë shpejt”/ DeutscheWelle
