Argjentina përgatitet për sfidën e fundit të Grupit J, ku do të përballet me Jordaninë, tashmë të eliminuar nga turneu. Kombëtarja albiceleste e ka siguruar kualifikimin për në fazën me eliminim direkt, pasi kryeson grupin me gjashtë pikë, falë dy fitoreve radhazi: 3–0 ndaj Algjerisë dhe 2–0 kundër Austrisë.
Të pesë golat e Argjentinës mbajnë firmën e Lionel Messit, i cili ka qenë protagonisti absolut i ekipit, duke i siguruar Argjentinës kualifikimin në fazën e 1/32-ave, një ndeshje përpara mbylljes së fazës së grupeve. Megjithatë, ndaj Jordanisë, Messi pritet të nisë ndeshjen nga stoli, siç konfirmoi trajneri Lionel Scaloni në konferencën për shtyp. “Leo do ta ndjekë ndeshjen nga stoli.
Do t’u japim hapësirë lojtarëve që kanë pasur më pak minuta. Të gjithë e meritojnë të luajnë, sepse secili ka dhënë kontributin e tij.
Pavarësisht renditjes apo pikëve në lojë, kush vesh fanellën e Argjentinës duhet të japë maksimumin dhe të kërkojë gjithmonë fitoren.” Scaloni, i cili është shumë pranë ndeshjes së tij të 100-të në krye të kombëtares, theksoi se skuadra do ta marrë seriozisht edhe këtë përballje, pavarësisht se kualifikimi është siguruar.
Një fitore tjetër, pa pësuar gol, do t’i mundësonte Argjentinës ta mbyllte fazën e grupeve me tre fitore në tre ndeshje dhe me portën e paprekur, një arritje që do të përsëriste një rekord historik.
Pas përfundimit të fazës së grupeve, Argjentina do të përballet me Kepin e Gjelbër më 4 korrik në fazën me eliminim direkt, me synimin për të vazhduar rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit botëror. Ndeshja ndaj Jordanisë do të nisë në orën të mëngjesit dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Kombëtar Klan.
