Teoria dhe analiza letrare në një studim mbi psikanalizën e Frojdit

0%

Libri i Iris Halilit “Letërsia në psikanalizën e Frojdit dhe dilemat ekzistenciale” paraqet një veçori studimore nisur nga ky kënd tematik.

Ajo e studion letërsinë sipas psikanalizës, duke e cilësuar atë “një banket me shumë personazhe”, ndërsa si postulat orientues merr një thënie të Frojdit se “shkrimtari është njësoj si fëmija që luan, ai krijon një botë me fantazi, të cilën e merr vërtet seriozisht”. Në fillim, studiuesja bën një paraqitje të teorive të Frojdit dhe të studimeve të tij mbi artistin dhe letërsinë.

Sipas teorisë frojdiane “shkrimtari vuan karakterin egoist të fantazisë, duke e ndryshuar apo lezetuar më tej atë”. Në shpjegimin frojdist të letërsisë, studiuesja është bindëse, ndërsa sjell shembuj të autorëve të ndryshëm si Migjeni me skicën “Qershiat”, disa përralla shqiptare,-dhe në shpjegimet e autorëve të ndryshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Krahas Frojdit, studiuesja bën një interpretim të sistemuar dhe logjik mbi kuptimin e letërsisë sipas psikanalizës. Studiuesja e talentuar Iris Halili, posedon një material të pasur, të cilit i referohet dhe një mënyrë e saktë e sistemimit logjik të teorive psikanalitike.

Sipas saj dhe shembujve që ajo jep krijimi i pavetëdijshëm letrar vjen nga lashtësia, nga mitet antike, përrallat shqiptare, nga një krijimtari e pasur, ndërsa kristalizimi që u bën Frojdi sjell një vështrim më të saktë referues mbi to.

Autorja bën një përkufizim të përgjithshëm për mitet greke, duke sjellë të dhëna interesante mbi kohën e krijimit të tyre dhe duke bërë një ndarje midis matriarkatit dhe patriarkatit dhe duke u mbështetur në analizën e Jakob Bachofen, ajo shkon e gjen gjurmë të matriarkatit në mitet për të sjellë një numër hyjneshash -gra, dhe sipas Bachofenit “matriarkati ka qenë në fillim të shoqërisë njerëzore”.

Shpjegimet e Iris Halilit, duke marrë në shqyrtim Amazonat, Antigonën për të kaluar pastaj në gjuhën simbolike si gjuhë e mitit, na sjellin dashurinë në mitet greke, i pasuruar ky kapitull me shembuj konkretë të njohur nga mitologjia, por edhe me shpjegime frojdiste ku: “Pavetëdija – sipas Frojdit- është lënda e parë e shpirtit”.

Psika dhe Erosi është një nga ndarjet kryesore të këtij studimi ashtu siç vijnë vështrime interesante analitike mbi tradhtinë e gruas në mitet e Mesdheut, mbi gruan kriminele në mitologji, mbi Medean dhe Klitemnestrën. Çështjet e shtruara nga studiuesja marrin përgjigje interesante përmes analizës së saj dhe shpjegimeve frojdiste, kryesisht, që ajo u bën atyre.

Këto çështje ngrenë krye në një terren të njohur e të studiuar mirë edhe nga të tjerët, ndërsa Iris Halili i sjell ato pa e përjashtuar këtë gjë, dhe duke e fokusuar në shpjegimet dhe interpretimet e saj origjinale me terminologjinë e duhur gjuhësore.

Në kapitullin “Gruaja kjo krijesë mitologjike”, nga fillimi në mbarim, me trajtesat që bën, autorja nxjerr edhe një herë botën e madhe të shpirtit të gruas, relievimin e saj mitologjik dhe real, si dhe universalitetin e shpirtit të gruas për të përfunduar në një thënie të Frojdit: “kurrë nuk e mësova dot se çfarë duan gratë” dhe, sipas autores: “Patriarku Frojd e kishte bërë të vetën: e kishte hedhur një rreze të fuqishme drite për të shpërndarë mjegullën që, ende sot e kësaj dite, mbulon mendjet tona patriarkale”.

Në kapitullin “Një mik që vlen sa një teori” me nënçështje “Nga Frojd te Cvajg dhe anasjelltas”, studiuesja ndalet te nevojat e famshme të Cvajgut, novela që janë të njohura nga lexuesi shqiptar dhe që kanë njohur një numër botimesh në shqip.

Po kështu, veprat e Frojdit janë botuar në shqip, ashtu si edhe monografia e Cvajgut për Frojdin, ku janë shpjeguar përmbledhtas teoritë e tij mbi pavetëdijen njerëzore.

Autorja sqimatare bën një vështrim frojdist të disa novelave të Cvajgut, si: “E fshehta përvëluese”, “Amoku”, “Letër e një të panjohure”, “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”, duke sjellë në dritën e vlerësimit dhe te perceptimet anët e errëta të instinktit, pikërisht ato anë që shtyjnë jetën përpara.

Dhe ky vlerësim, sipas teorive të Frojdit, e bën atë të dalë te fraza përcaktuese mbi natyrën e krijimtarisë së Cvajgut teksa thotë se: “edhe neve, Cvajg, me këtë gjuhë universale na ka folur e na ka dhënë kuptime të ndryshme të qindra personazheve të tija, që, çuditërisht, na përcjellin të njëjtën ndjeshmëri prej kristali, kurdo dhe kurdoherë” (F. 97 e librit).

Nga ky kapitull, autorja bën me dije se si mund të lexohet një libër, duke dëgjuar një polifoni zërash, duke na shpjeguar se si duhen kuptuar dhe ndjerë cilësitë e një narracioni të veprave të arritura, përgjithësisht të gjitha këto çështje të ngritura të shpjeguara me elokuencë nga studiuesja.

Në kapitullin “Realizmi magjik që na bëri magjikë”, pasi bën një histori të shkurtër të kulturës paraspanjolle të vendeve të Amerikës Latine dhe një periodizim të kësaj letërsie, ajo ndalet te “Realizmi Magjik”, tashmë një rrymë letrare mjaft e njohur me përfaqësuesit e saj më të zëshëm, si: Jose Maria Arguedas, Migel Anhel Asturias, Gabriel Garsia Markes etj.

Për ta ilustruar më mirë dhe më thellë Realizmin Magjik, autorja ndalet te romani i Markesit “Dashuri në kohërat e kolerës”, duke shpjeguar procedeun krijues të këtij artisti, i cili fjalën e shndërroi në magji dhe magjinë në besueshmëri si ritual të përditshmërisë.

Markes që njihet për teknikën e avancimit në narracion dhe të digresionit, duke i kombinuar këto dy teknika me gjendjen e tashme të personazhit, krijon në këtë roman një rrëfim të kombinuar dhe universal mbi dashurinë.

Për këtë roman, një kryevepër e letërsisë moderne, gjenden shkrime të ndryshme dhe analiza që shfaqin vlerat e tij, por vështrimi i Iris Halilit përbën një mënyrë origjinale në fushë të trajtimit psikanalist mbi dashurinë dhe fraza e saj se: “Markesi e himnizon dashurinë me të gjitha ngjyresat e mundshme dhe nëse do të mësosh më shumë për dashurinë, kij durim dhe lexo këtë roman”.

Është një frazë kuptimplote jo vetëm këshilluese, por vetiu imponuese, që del nga analiza e saj mbi këtë vepër. Studiuesja, duke iu referuar një thënieje të Roland Barthes se “simbolet e njerëzimit janë vërtitur gjithmonë rreth një universaliteti dhe artet s’kanë bërë gjë tjetër veçse të “vjedhin” këto simbole apo mite”, e vendos këtë thënie në epiqendër të mendimit të saj, si nyje shtjellimi ideore në analizën e romanit të Ben Blushit “Otello Arapi i Vlorës”.

Çelësi për zbërthimin e të gjitha episodeve në këtë roman është psikanaliza: “Pas traditës modeste të Ernest Koliqit dhe të Migjenit, Ben Blushi është ndër të parët shkrimtarë shqiptarë tërësisht frojdist” (f. 127).

Blushi që shquhet për enumeracionin e frazës dhe për thyerjen e mendimit, duke kapërcyer shfaqjen e tij të rrafshët, përcillet në këtë roman e përmes tij, si shkrimtar që simbolet universale di t’i përshtasë në vende kohë dhe rrethana të tjera, ndërsa në të vërtetë këto simbole mbeten po ato, duke sjellë gjithnjë rrezatim e freski me forcën e tyre.

Të gjitha këto tipare të vlerësimit të stilit të tij dhe të procedeut krijues që ka ky shkrimtar, të vijnë ndërmend ndërsa lexon vështrimin analitik të Iris Halilit mbi romanin në fjalë.

Në kapitullin “Pigmalioni që trillon”, studiuesja, duke u mbështetur në fjalorë dhe terma të letërsisë, sjell disa përcaktime mbi fiktionin dhe për ta ilustruar këtë, ajo paraqet me konsideratë vepra të tilla si “Porta e ligjit” e Kafkës, ku sipas saj, në shekullin e XX kufijtë midis nënllojeve janë zhdukur.

Krahas përkufizimit ajo e shikon këtë term të konkretizuar më së miri në romanin “Mekami” të Kasem Trebeshinës, duke e përcaktuar këtë prozë, si roman -fiktioni, madje gjithë krijimtarinë e Trebeshinës si të tillë. Gjithmonë, sipas autores, realja, fantastikja, e besueshmja dhe emocionalja në një vepër letrare paraqesin disa tregues që kompletojnë një vepër të mirë.

Kjo nënkupton se ajo çfarë është fiktion në një vepër të arrirë artistike, duhet të jetë e besueshme dhe të përcjellë emocione te receptuesi. Kuptohet që shkrimtarët që kanë njohje të madhe dhe dinë të transmetojnë përmbajtje të thella ideore, shkojnë natyrshëm tek fiktioni dhe dinë të zgjojnë botën e ndërdijes e të vetëdijes njerëzore.

Mënyra se si duhet të kuptojmë botën e receptimit të krijimit të shijeve te lexuesi për ta njohur letërsinë, jo në një aspekt kronologjik dhe të rrafshët ngjarjesh apo me intriga që krijojnë vetëm tension dhe zgjasin kërshërinë, por në një aspekt tjetër, atë të simboleve dhe arketipave, si dhe të universales, gjendet e realizuar dhe e mirorientuar, ndërsa autorja analizon krijimtarinë e Kafkës me dy kryevepra të tij: “Metamorfoza” dhe “Relacioni akademik”.

Receptimi i artit gjithmonë ka sjellë mënyra të ndryshme për ta parë një vepër, ndërsa receptimi është edukim përmes njohurive dhe ushtrimit të tyre, kështu, ndërsa lexon këtë libër të Iris Halilit, një libër teorik dhe analizues, një lexues që i merr për herë të parë këto qasje teorike, mund t’i shohë me sy tjetër veprat që cituam deri tani.

Dhe patjetër, libra të tillë ndihmojnë, edhe pse asnjëherë nuk gjendet një diktim apo imponim prefekt për ta kuptuar dhe shijuar një vepër letrare. Në kapitullin “Sizifi që qesh”, autorja ndalet te romani “I huaji” i Alfred Kamysë.

Ndërsa “Miti i Sizifit” dhe romani “I huaji” janë dy vepra të njohura, studiuesja nuk mëton të thotë ndonjë gjë të re nga çfarë është thënë, por vetëm të bëjë një ndërlidhje midis Mersoit (personazhit tek “I huaji”) dhe Sizifit (personazhit tek eseja e gjatë “Miti i Sizifit” dhe kjo është interesante, mbase edhe ajo që quhet e re.

Po kështu, marrja me krijimtarinë e Sartrit, Simon de Bovuar, Andre Gide dhe sistemimi i disa teorive filozofike të ndërlidhura me letërsinë e ekzistencializmit, e bëjnë këtë kapitull nga më interesantët dhe vlera të veçanta estetike.

Analiza interesante sjell studiuesja për krijimtarinë e Pirandelos, Tomas Eliotin, Visar Zhitin, gjithnjë të përmbajtura dhe të përcjella këto analiza përmes një optike që ka të bëjë me atë çfarë ofron vepra e tyre, me rrafshin modern të kësaj krijimtarie, duke pasur si pikëmbështetëse teoritë psikanaliste, ato të absurdit dhe të ekzistencializmit.

Mënyra se si duhen lexuar këto vepra dhe se si duhen njohur këta shkrimtarë, është një mënyrë që imponohet nga vetë ata, por nuk është e lehtë, kjo se, së pari, duhet njohur mirë regjistri i tyre i ideve, i gjuhës, simboleve, mitit, dhe teoritë e ndryshme letrare që të ndihmojnë në këtë njohje, disa teori që janë krijuar nga veprat dhe pastaj në mënyrë të natyrshme janë krijuar parimet estetike.

Në këtë aspekt, libri i studiueses së çmuar Iris Halilit “Letërsia në psikanalizën e Frojdit dhe dilemat ekzistenciale” sjell një kontribut të çmuar në fushën e studimeve letrare.

Ajo i largohet metodës sociologjike dhe historike, duke u ndalur në interpretimin e tekstit e duke thirrur në ndihmë ato teori që i përshtaten dhe hapin rrugë për kuptimin dhe shijimin artistik të një teksti letrar.

Natyrisht, asgjë nuk është absolute, por ajo që është e mundur dhe të bind, është se analiza e tekstit në penën e Iris Halilit, e shikon letërsinë nga një dritare e re, ku fryn më tepër ajër kuptimi e ku mundësia për ta shijuar fjalën si art, është më e madhe. Tiranë-Vlorë, maj 2026.

Burimi: Bota Sot