KKIE takim ndërgjegjësues për rolin e Kuvendit në negociatat me BE-në

0%

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) organizoi një takim ndërgjegjësues mbi rolin e Kuvendit dhe të KKIE-së në procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Aktiviteti u zhvillua me mbështetjen e Shërbimit të Edukimit Qytetar dhe Zyra e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) në Shkup.

Në aktivitetin, e zhvilluar në sallën plenare të Kuvendit, morën pjesë 30 studentë të Akademisë Politike nga Maqedonia e Veriut, të cilët u njohën me funksionin e Kuvendit dhe të KKIE-së në mbikëqyrjen e procesit të negociatave, forcimin e transparencës dhe kontrollin parlamentar ndaj angazhimeve të qeverisë në procesin e integrimit europian.

Takimi u përshëndet nga Taulant Balla, bashkëkryetar i KKIE-së, i cili, pasi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, prezantoi ecurinë e deritanishme të negociatave me Bashkimin Europian, sfidat me të cilat përballet procesi, të cilin e vlerësoi jo vetëm si një negociatë politike, por si një transformim të thellë të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në fjalën e tij, Balla theksoi gjithashtu mbështetjen e lartë të qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se orientimi europian ka qenë dhe mbetet i vetmi objektiv strategjik i Shqipërisë.

Duke u ndalur te marrëdhëniet rajonale, Balla u shpreh se autoritetet shtetërore në Maqedoninë e Veriut duhet t’i respektojnë shqiptarët si kombësi shtetformues dhe se e drejta për shkollim dhe përdorim të gjuhës shqipe kudo është detyrim dhe nuk mund të negociohet. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të ecë përpara në rrugën e anëtarësimit në BE.

Në vijim, Elda Zenelaj, drejtore e Sekretariatit Teknik të KKIE-së, informoi të pranishmit mbi përbërjen dhe rolin e Këshillit, monitorimin e zbatimit të detyrimeve që lidhen me procesin e negociatave me BE-në, transparencën e procesit legjislativ dhe përafrimin me legjislacionin europian, si dhe nxitjen e garantimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet institucioneve, forcave politike dhe grupeve të interesit në këtë proces.

Takimi vijoi me pyetje dhe diskutime mbi sfidat e procesit të negociatave, zgjerimin e Bashkimit Europian dhe perspektivën europiane të rajonit etj.

Burimi: Bota Sot