Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte futbollisti i njohur kosovar Florent Hasani. Në një bisedë të hapur me gazetarët e Telegrafit, ai rrëfeu momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke ndarë histori të padëgjuara nga rrugëtimi në futbollin vendor dhe atë ndërkombëtar. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Exfis dhe Heineken.
Biseda nisi me kujtimet e Hasanit për hapat e parë në futboll, teksa ai foli për titullin historik të kampionit me Llamkos Kosovën, sukses që shënoi fillimin e ngritjes së tij në skenën futbollistike. Më pas, futbollisti u ndal te periudha me Trepçën ’89, ku fitoi një tjetër titull kampioni dhe siguroi daljen në garat evropiane, duke kujtuar me emocione vitet e kaluara në Mitrovicë.
Gjatë bisedës, Hasani zbuloi edhe një moment interesant që, sipas tij, ndikoi drejtpërdrejt në transferimin e tij në futbollin hungarez, duke treguar se si një episod i veçantë i hapi dyert drejt një aventure të re në karrierë. Një nga rrëfimet më interesante ishte ai për kalimin te Diosgyor, ku Hasani pranoi se fillimisht nuk kishte dëshirë të largohej.
Në vazhdim, reprezentuesi kosovar foli edhe për eksperiencën në Izrael, të cilën e përshkroi si një periudhë me dy fytyra, një fillim shumë premtues dhe një fund të vështirë, duke shpjeguar arsyet që ndikuan në rrjedhën e asaj aventure.
Hasani ndau gjithashtu përvojën si kapiten i Bolusporit, duke veçuar respektin dhe besimin që fitoi brenda klubit turk, rol që e konsideron një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij. Episodin e plotë me Florent Hasanin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. / Telegrafi
