Kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj Gianni Infantino, duke e cilësuar organizimin e Kupës së Botës 2026 si problematik dhe të padrejtë për ekipin e tij.
Pas ndeshjes me Egjiptin që përfundoi në barazim, Taremi tha se kombëtarja iraniane është përballur me vështirësi serioze logjistike, përfshirë mungesën e stafit mbështetës dhe probleme me vizat për disa anëtarë të ekipit.
Sipas tij, një pjesë e stafit nuk ka mundur t’i bashkohet skuadrës, ndërsa ekipi është detyruar të udhëtojë shpesh mes Tijuana-s në Meksikë dhe Shteteve të Bashkuara për ndeshje dhe përgatitje. “FIFA duhej t’i zgjidhte këto probleme, por nuk e ka bërë. Nuk kemi staf të mjaftueshëm për rikuperim dhe organizim. Ky nuk është trajtim i drejtë,” u shpreh Taremi.
Kritika ndaj organizimit ka bërë edhe trajneri i Iranit, i cili tha se ekipi është detyruar të ndryshojë planet e përgatitjes për shkak të kufizimeve dhe tensioneve diplomatike. Pavarësisht sfidave jashtë fushës, Irani mbetet në garë për kualifikim në fazën tjetër të turneut, duke pritur rezultatet e ndeshjeve të tjera. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
