Portugalia dhe Republika Demokratike e Kongos kanë shkuar në pushim me rezultatin 1-1 në ndeshjen e tyre të Kupës së Botës 2026, pas pjesës së parë. Luzitanët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e 6-të. Pedro Neto dërgoi një pasim të bukur në zonë, ndërsa Joao Neves u shkëput nga mbrojtja kundërshtare dhe realizoi me kokë për 1-0. Megjithatë, skuadra afrikane tregoi se nuk kishte ardhur për t’u dorëzuar. Në minutën e 11-të, Yoane Wissa ishte shumë pranë barazimit, por goditja e tij kaloi fare pranë shtyllës së majtë. Ndeshja vazhdoi me intensitet të lartë, ndërsa gjyqtari Abdulrahman Al Jassim u detyrua të ndëshkonte me karton të verdhë Bernardo Silvën në minutën e 13-të dhe më pas Chancel Mbembën në minutën e 32-të. Kur dukej se Portugalia do ta mbyllte pjesën e parë në avantazh, erdhi goditja e RD të Kongos në kohën shtesë. Në minutën e 45+5, Arthur Masuaku harkoi saktë në zonë, ndërsa Yoane Wissa u gjend në vendin e duhur për të dërguar topin në rrjetë nga afërsia dhe për të barazuar rezultatin në 1-1. Portugalia dominoi pjesërisht lojën pas golit të hershëm, por afrikanët reaguan mirë dhe u shpërblyen në fundin e pjesës së parë, duke lënë gjithçka të hapur për 45 minutat e mbetura.
