Një australian është arrestuar në Tajlandë në lidhje me vdekjen e një vajze 17-vjeçare e cila u gjet në një valixhe. I dyshuari, i cili vazhdon të mohojë akuzat, “u mor në paraburgim pas marrjes në pyetje. Trupi i 17-vjeçares u gjet pasi dyshohej se ishte vrarë. Ajo ishre futur në një valixhe dhe është hedhur në një zonë të pyllëzuar pranë një linje hekurudhore.
Policia po pret rezultatet e autopsisë, si dhe prova të tjera, përpara se të ngrejë akuza për “rrëmbim të një të mituri për qëllime seksuale”, “vrasje” dhe “fshehje të një kufome”. Sipas mediave lokale, 46-vjeçari australian u arrestua mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar Suvarnabhumi të Bangkokut, ndërsa po përpiqej të blinte një biletë avioni për në Perth.
Në imazhet e kamerave të sigurisë, ai shihet duke hyrë, i shoqëruar nga një grua 17-vjeçare tajlandeze, brenda një ndërtese në vendpushimin turistik të Pattayas natën e së mërkurës. Pastaj, disa orë më vonë, ai shihet duke u larguar vetëm, duke mbajtur një valixhe të madhe të zezë në pjesën e pasme të një skuteri.
Policia e gjeti valixhen të nesërmen pranë shinave të trenit dhe brenda saj zbuloi trupin e gruas së re, me lëndime të dukshme.
