OEAK: Importi i energjisë s’garanton siguri e gazifikimi i qymyrit s’adreson nevojat urgjente

0%

Shpërndaje në: Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka deklaruar se prioritetet e paraqitura nga Qeveria në detyrë mbi politikat energjetike nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e varësisë nga importet e rrjedhimisht fuqizimin e sigurisë së furnizimit.

Të premten ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përsëritur se Kosova nuk është kundër gazit amerikan, tek ka insistuar te gazifikimi i thëngjillit.

Ajo ka thënë se në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse, zgjidhje më të duhur Qeveria e ka parë importimin e gazit të lëngëzuar përmes Vlorës, prodhimin e energjisë atje dhe transmetimin pa pasur nevojë për investime shtesë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por, Oda Amerikane ka deklaruar se mbështetja në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit. “Çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët.

Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj.

Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thuhet në komunikatë.

Oda Amerikane ka theksuar se pyetja është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj.

“Është argumentuar se importimi i energjisë elektrike përmes infrastrukturës ekzistuese transmetuese është zgjidhje më praktike dhe më pak e kushtueshme sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Megjithatë, vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm mbi bazën e kostos fillestare të infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese brenda vendit”, thuhet tutje.

Oda ka shprehur se prioritet kombëtar duhet të jetë zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore, e rruga më e shpejtë drejt tyre, sipas saj, është përfshirja në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngëzuar amerikan.

“Në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane paraqet rrugën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është identifikuar, përmes studimeve të mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror”.

Oda ka shpjeguar tutje se gazifikimi i qymyrit mund të konsiderohet si pjesë e diskutimeve për sigurinë afatgjatë energjetike të vendit, por ai “nuk mund të adresojë nevojat urgjente të Kosovës për rritjen e kapaciteteve prodhuese”.

“Një projekt i tillë kërkon kohë dukshëm më të gjatë për realizim, ndërsa mundësia e sigurimit të financimit mbetet e pasigurt, duke pasur parasysh politikat ndërkombëtare për dekarbonizim”.

Oda Ekonomike Amerikane konsideron se Kosova duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë: të zhvillojë sa më shpejt kapacitetet e reja gjeneruese me bazë LNG për të adresuar nevojat afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimin e opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve të saj vendore.

Burimi: Koha