Marcelo Bielsa nuk arriti ta fshehë zhgënjimin pas eliminimit të Uruguait nga Kupa e Botës 2026, duke humbur durimin gjatë intervistës pas ndeshjes. Uruguai u eliminua pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Ishte një turne zhgënjyes për dy herë kampionët e botës, të cilët barazuan ndaj Arabisë Saudite dhe Kepit të Gjelbër, para se të mposhteshin nga Spanja.
Eliminimi u bë edhe më i dhimbshëm për shkak se Kepi i Gjelbër, në paraqitjen e parë në Kupën e Botës, arriti të kualifikohej si vendi i dytë i grupit pas tri barazimeve. Pas ndeshjes, Bielsa u shfaq i emocionuar dhe i nervozuar në intervistën për DAZN.
Para se të niste intervista, trajneri argjentinas u kap nga kamerat duke i bërtitur gazetarit: “Bëjeni tashmë!” Gjatë intervistës, ai dha përgjigje të shkurtra dhe të prera, duke lënë të kuptohej se dëshironte të largohej sa më shpejt drejt dhomave të zhveshjes.
Bielsa deklaroi se Fernando Muslera kishte kërkuar vetë të zëvendësohej pas gabimit te goli i Spanjës, ndërsa mori mbi vete përgjegjësinë për eliminimin. Në konferencën për media pas ndeshjes, Bielsa u shfaq më i qetë dhe shpjegoi vendimet e tij. “Muslera vendosi të dilte nga loja, ndërsa Valverden e zëvendësova me Viñas sepse doja më shumë fuqi në sulm.
Kjo varet si nga lojtari që hyn, ashtu edhe nga ai që del” , tha ai. Më pas, Bielsa bëri një vlerësim shumë të ashpër për periudhën e tij në krye të Uruguait, duke e quajtur atë një dështim të plotë. “Nuk po lë asgjë pas për futbollin uruguaian. Çdo kontribut që një trajner mund t’i japë një vendi ku ka punuar për tre vjet është i pavlerë nëse nuk arrin rezultate.
Vendi i katërt në kualifikueset e Botërorit nuk vlen asgjë, vendi i tretë në Copa América po ashtu nuk ka kuptim, ndërsa kjo paraqitje nuk ka nevojë për shpjegim. Koha ime këtu ka qenë një dështim i plotë”, deklaroi Bielsa. Uruguai e mbylli Botërorin pa asnjë fitore, ndërsa eliminimi në fazën e grupeve pritet të hapë shumë pikëpyetje për të ardhmen e trajnerit në krye të kombëtares.
