Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka dalë në mbrojtje të Jamal Musialës dhe Florian Wirtzit pas paraqitjes zhgënjyese në humbjen ndaj Ekuadorit, duke theksuar se vazhdon t’u besojë dy yjeve ofensivë për ndeshjen e fazës së 1/32-ave ndaj Paraguait. Musiala dhe Wirtz hynë në Kupën e Botës 2026 me pritshmëri të mëdha, por deri tani nuk kanë arritur të lënë gjurmë.
Në përballjen me Ekuadorin, të dy u neutralizuan nga loja fizike e kundërshtarit dhe nuk arritën të krijojnë rrezikun e zakonshëm. Megjithatë, Nagelsmann nuk mendon të ndryshojë planet e tij. “Florian ishte shumë i përkushtuar dhe dha maksimumin. Atij po i mungon vetëm fati. Realizoi dy ose tri depërtime fantastike në zonë, por nuk po arrin ta gjejë golin”, deklaroi tekniku gjerman.
Sa i përket Musialës, Nagelsmann kërkoi durim, duke kujtuar se mesfushori i Bayern Munichut sapo është rikthyer pas një mungese të gjatë për shkak të dëmtimit. “Ai ka qenë jashtë fushave për një vit. Të gjithë e dimë çfarë cilësish ka. Duhet ta ndihmojmë që t’i rikthejë ato. Jam i bindur se momenti i tyre do të vijë të hënën”, u shpreh ai.
Një nga pikat pozitive për Gjermaninë në ndeshjen ndaj Ekuadorit ishte rikthimi te goli i Leroy Sanes. Nagelsmann beson se kjo do t’i japë më shumë besim repartit ofensiv para fillimit të fazës me eliminim direkt. “Isha shumë i lumtur për Sanen. Ai po luan mirë dhe ishte pranë golit të dytë”, tha trajneri. Pavarësisht humbjes, Nagelsmann nuk planifikon revolucion në formacion.
Ai dëshiron që skuadra të mësojë nga gabimet, por të ruajë besimin në stilin e saj sulmues. “Është e rëndësishme të mësojmë nga përvojat tona. Po të kishim pasur nevojë patjetër për fitore, do të kisha bërë zëvendësime të tjera. Tani fokusi është të japim maksimumin dhe të kalojmë në raundin tjetër. Duhet të luajmë me vetëbesim dhe guxim”, përfundoi ai.
Gjermania do të përballet me Paraguain të hënën në Boston, në një sfidë ku humbësi eliminohet. Nagelsmann pritet t’i besojë sërish Musialës, Wirtzit dhe repartit ofensiv, me shpresën se ata do të shpërthejnë pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme të turneut.
