Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një komunikate për media thekson se po përcjellë me vëmendje deklaratat e fundit publike të anëtarëve të Kabinetit të Qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikës energjetike të vendit.
Oda Amerikane shpreh besimin se prioritetet e paraqitura nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e varësisë nga importet e rrjedhimisht fuqizimin e sigurisë së furnizimit. “Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike të prodhuar në vendet fqinje.
Pyetja strategjike është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj”, thuhet në reagim.
Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të jetë prioritet kombëtar. Tutje thuhet se është argumentuar se importimi i energjisë elektrike përmes infrastrukturës ekzistuese transmetuese është zgjidhje më praktike dhe më pak e kushtueshme sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë.
Rizvanolli: Kosova nuk ka refuzuar gazin amerikan, por ka zgjedhur zgjidhje më praktike dhe ekonomike “Megjithatë, vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm mbi bazën e kostos fillestare të infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese brenda vendit.
Çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët. Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj.
Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thuhet në komunikatë.
OEAK thekson se kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse shumë shtete evropiane kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën për LNG, përfshirë LNG-në amerikane.
“Përtej aspektit ekonomik, këto vendime janë udhëhequr nga objektiva strategjike për diversifikimin e burimeve të furnizimit, zvogëlimin e varësisë nga një numër i kufizuar furnizuesish dhe forcimin e sigurisë kombëtare. Në realitetin e ri gjeopolitik, energjia nuk trajtohet më vetëm si mall tregtar, por si komponentë kyçe e politikës së sigurisë dhe i partneriteteve strategjike.
Prandaj, Kosova nuk guxon të mbetet jashtë këtij transformimi. Pikërisht për këtë arsye, Oda Amerikane beson fuqishëm se rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit duhet të mbetet ndër objektivat kryesore strategjike të Kosovës”.
Oda amerikane thekson më tej se në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane paraqet rrugën më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.
“Ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është identifikuar, përmes studimeve të mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror.
Kapacitetet gjeneruese me bazë LNG janë ndër teknologjitë komercialisht të gatshme që mund të ndërtohen brenda një periudhe prej vetëm dy deri në tre vitesh. Për më tepër, projekte të tilla kanë mundësi dukshëm më të mëdha të financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa ndërtimi i kapaciteteve të reja me bazë qymyri.
Po aq e rëndësishme është të kuptohet se LNG-ja nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Përkundrazi, ajo është teknologjia që mundëson integrimin e një sasie shumë më të madhe të energjisë nga era dhe dielli, duke siguruar fleksibilitetin e nevojshëm për funksionimin e një sistemi modern elektroenergjetik”.
Sipas OEAK-ut, në anën tjetër, gazifikimi i qymyrit mund të konsiderohet si pjesë e diskutimeve për sigurinë afatgjatë energjetike të vendit, por ai nuk mund të adresojë nevojat urgjente të Kosovës për rritjen e kapaciteteve prodhuese.
Një projekt i tillë kërkon kohë dukshëm më të gjatë për realizim, ndërsa mundësia e sigurimit të financimit mbetet e pasigurt, duke pasur parasysh politikat ndërkombëtare për dekarbonizim.
“Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konsideron se Kosova duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë: të zhvillojë sa më shpejt kapacitetet e reja gjeneruese me bazë LNG për të adresuar nevojat afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike, ndërsa paralelisht të vazhdojë vlerësimin e opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve të saj vendore.
Politikat energjetike nuk duhet të maten vetëm me koston fillestare të investimit, por me aftësinë e tyre për të garantuar furnizim të sigurt, çmime të parashikueshme dhe prodhim vendor të energjisë elektrike.
Përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do t’i mundësonte vendit ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në afatin më të shkurtër të mundshëm, do të rriste ndjeshëm sigurinë energjetike, do të forconte konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe do ta thellonte më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke u bazuar në atë që u tha më sipër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ripërsërit qëndrimin e saj se në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende evropiane po e shohin LNG-në amerikane si një investim strategjik në sigurinë e tyre energjetike dhe kombëtare, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”.
