Protesta masive kundër qeverisë, thirrja për ambasadorët perëndimorë: 5 kërkesa të panegociueshme për Ramën!

0%

Lëvizja qytetare që prej 27 ditësh po organizon protesta të përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë një hap të ri, duke e çuar aksionin e saj në nivel ndërkombëtar.

Grupi Koordinator i Protestës u ka dërguar një letër zyrtare ambasadorëve dhe shefave të misioneve të vendeve perëndimore të akredituara në Shqipëri, ku i informon mbi situatën politike në vend dhe kërkesat e protestuesve.

Në letër, përfaqësuesit e lëvizjes shprehen se bëhet fjalë për një lëvizje paqësore dhe të gjerë qytetare, e cila sipas tyre ka mobilizuar qytetarë në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik”, thuhet ndër të tjera në dokument, ku theksohet se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u shprehur në mënyrë paqësore në sheshe publike në të gjithë vendin.

Pesë kërkesa kryesore të protestuesve Grupi Koordinator ka paraqitur pesë kërkesa kryesore, të cilat i konsideron si shprehje të vullnetit të protestuesve: Së pari, kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë aktuale, si hap i domosdoshëm për ndryshim politik.

Së dyti, propozohet krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor për të garantuar një proces të ri reformash. Së treti, kërkohet një reformë e thellë kushtetuese që do të miratohej përmes referendumit, duke përfshirë ndryshime në Kodin Zgjedhor, rregullat për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit në maksimum dy.

Së katërti, kërkohen ndryshime në disa ligje, përfshirë shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ligjit për trashëgiminë kulturore, paketës së njohur si “Paketa e Maleve” dhe kuadrit për investimet strategjike. Së pesti, propozohet hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë të pavarur dhe shoqërinë civile.

Thirrje për ndërkombëtarët Në përfundim të letrës, Grupi Koordinator u bën thirrje ambasadorëve të marrin në konsideratë seriozitetin e protestës dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të situatës politike në vend.

“Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm”, thuhet në letër, ku theksohet besimi në vlerat e përbashkëta evropiane si demokracia dhe dinjiteti njerëzor.

Burimi: Bota Sot