Nga: New York Times Përktheu:
Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Lufta civile në Birmani, e nisur pas grushtit të shtetit më 2021, po shkakton krizë të rëndë humanitare. Mijëra vrasje e miliona të zhvendosur, por kjo luftë është harruar nga bota. Në rajonin Anyar, rebelët po përballen me mungesë armësh dhe sulme të vazhdueshme ajrore.
Ama edhe pse me shpresa të pakta po vazhdojnë rezistencën për demokraci Nga një kodër në Birmani, një komandant i pazakontë vëzhgonte armikun në kreshtën përballë. Ai shikonte përmes syzeve të mbuluara nga pluhuri. Dr. Lone Lone, udhëheqës rebel prej pesë vjetësh, përpiqej të mbante kollën dhe merrte frymë me vështirësi. Ushtarët e tij e përshëndetën me respekt.
Disiplina ishte e admirueshme, edhe pse armët që mbanin ishin të pakta dhe të vjetra. Në zemër të Birmanisë, ku lufta civile vazhdon me ashpërsi, grupet rebele përballen me mungesë njerëzish dhe armatimi. Civilët që i mbështesin jetojnë nën sulme të vazhdueshme nga ushtria. Në vitin 2021, ushtria përmbysi qeverinë e zgjedhur dhe i dha fund periudhës së shkurtër demokratike.
Gjeneralët rikthyen diktaturën ushtarake, e përçanë vendin dhe shkaktuan krizë të rëndë humanitare. Përderisa vëmendja e botës është përqendruar te konfliktet në Iran, Ukrainë, Liban dhe vende të tjera, Birmania është rrënuar në heshtje. Së fundmi, një ekip i “New York Timesit” udhëtoi me Lone Lonen në një zonë të kontrolluar nga rebelët. Kjo zonë ndodhet në Anyar, në Birmaninë qendrore.
Gjatë tre ditëve të fundit, Lone Lone dhe njerëzit e tij aty po shmangnin dronë, avionë luftarakë, helikopterë sulmues dhe madje edhe pilotë me parashuta motorike që hidhnin bomba dore. Ata kishin kaluar nëpër fshatra të goditur nga artileria ose të djegur nga ushtria birmane. “Do të doja që të mund të vinit në Birmani pa bomba”, tha ai. “Unë e dua vendin tim”.
Pas grushtit të shtetit në vitin 2021, forcat kundër ushtrisë morën nën kontroll më shumë se gjysmën e territorit të vendit. Disa prej grupeve rebele thonë se luftojnë për ta kthyer Birmaninë në një demokraci federale, ku rajonet kanë më shumë të drejta dhe vetëqeverisje. Rebelët, së bashku me qeverinë në ekzil, kanë ndërtuar shkolla dhe spitale në territoret që i quajnë “Birmania e Lirë”.
Ata shpresojnë që këto zona të bashkohen gradualisht dhe të detyrojnë ushtrinë të heqë dorë nga pushteti. Ushtria ka dominuar jetën politike të Birmanisë që nga grushti i shtetit i vitit 1962. Anyar është një nga bastionet më të forta të rezistencës kundër ushtrisë. Nëpër zona kufitare kryengritjet e pakicave etnike vazhdojnë prej dekadash.
Edhe pse ato zona sulmohen shpesh nga ushtria, ato kanë lidhje me vendet fqinje dhe mund të sigurojnë armë, informacione dhe ndihma. Anyar është shumë më i izoluar. Pikërisht aty ushtria edhe është përqendruar. Rajoni është shtëpia e shumicës etnike Bamar, grupi që historikisht ka mbështetur ushtrinë. Por grushti i shtetit i vitit 2021 ndryshoi shumë qëndrime.
Shumë banorë u kthyen kundër ushtrisë dhe paguan çmim të rëndë për këtë. Pesë vjet pas fillimit të luftës civile, larg ndihmës ndërkombëtare, rajoni duket sikur ka kaluar nëpër apokalips. Fshatrat e mbuluara nga pluhuri dhe tokat bujqësore të punuara nën kërcënimin e vazhdueshëm të sulmeve ajrore. Nga qielli, ushtria birmane godiste pa dallim dhe me pasoja shkatërruese.
Përveç sulmeve, Anyar vuan edhe nga mungesa e armëve, luftëtarëve dhe, gjithnjë e më shumë, e shpresës. Për të ruajtur pushtetin, Min Aung Hlaing, udhëheqësi i juntës ushtarake, dha dorëheqjen nga posti i komandantit të ushtrisë në mars për të marrë postin civil të presidentit.
Ai organizoi zgjedhje të kontrolluara nga ushtria, ku partia e mbështetur prej saj ishte praktikisht e vetmja alternativë. Në prill, sipas ushtrisë, Aung San Suu Kyi, udhëheqësja civile e rrëzuar nga pushteti, u transferua nga burgu në arrest shtëpiak. Po atë muaj, organizatat e të drejtave të njeriut raportuan numrin më të lartë mujor të viktimave civile që nga grushti i shtetit.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë pesë vjetëve të fundit janë vrarë më shumë se 90 mijë civilë dhe luftëtarë, ndërsa 3.7 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë. Gjenerali Zaw Min Tun, zëdhënësi i ushtrisë, tha se sulmet ajrore kryheshin vetëm kur kishte informacione të besueshme për objektiva ushtarake.
“Pretendimet se kaq shumë civilë janë vrarë nga sulmet ajrore janë thjesht propagandë”, deklaroi ai. Vdekje përgjatë rrugëve të rrezikshme Bombat në këtë zonë bien si rrebesh shiu. Sipas organizatës që monitoron luftërat, A.C.L.E.D., gjatë muajit mars rreth 240 sulme ajrore të ushtrisë së Birmanisë vranë më shumë se 400 persona, shumë prej tyre në Anyar.
Në mesin e prillit, dy gyrocopterë sulmuan një fshat në zonën Monywa, duke vrarë të paktën 17 njerëz. Gjatë qëndrimit të ekipit të NYT-it në Birmaninë qendrore, u konfirmuan të paktën nëntë raste të tjera të vrasjes së civilëve që nuk ishin regjistruar nga organizatat për të drejtat e njeriut. Megjithatë, kjo tragjedi e përditshme kalon pothuajse pa u vënë re nga bota.
“A e dinë të huajt se çfarë po na ndodh neve?”, pyeti banor i Anyarit, U San Nyaung, teksa hiqte rrënojat e shtëpisë së tij të djegur nga ushtarët e Birmanisë. Kjo pjesë është e shkëputur nga bota. Ushtria ka ndërprerë komunikimet. Nuk ka sinjal telefoni e as internet stabil. Në fshatin e U San Nyaung ishin djegur pothuajse 200 shtëpi. Pas largimit të ushtarëve, mbi fshat ranë edhe bomba.
Tre persona humbën jetën, mes tyre edhe një murg budist. Ushtria ka lënë pas edhe mina tokësore pranë shtëpive dhe tempujve budistë, për të shkaktuar viktima edhe pasi të largohej nga zona. U San Nyaung shpërtheu në lot. “Unë di për Ukrainën dhe Gazën. Më vjen shumë keq për ta”, tha ai. “Ne ndajmë të njëjtën dhimbje”.
Nga stetoskopi tek arma Rrënjët e luftës civile në Birmani kthehen deri në vitin 1962, kur një gjeneral mori pushtetin me forcë. Ai pretendonte se ushtria ishte e nevojshme për të mbajtur të bashkuar vendin përballë kryengritjeve të grupeve etnike. Këto konflikte kanë vazhduar për dekada.
Por në luftën e sotme civile, edhe shumica etnike Bamar është ngritur kundër ushtrisë, duke e përhapur konfliktin në të gjithë vendin. “Ushtria nuk mund ta pranojë që këtë herë edhe Bamarët janë kundër saj”, tha Dr. Lone Lone. “Prandaj po sillet me ne me kaq shumë mizori”. Lone Lone, 41 vjeç, nuk e ka imagjinuar kurrë se do të drejtonte një batalion me 120 luftëtarë.
Ai ishte miop, vuante nga astma dhe dhimbjet kronike të shpinës. I lindur në një qytet të Anyarit të njohur për elefantët e punës, ai studioi mjekësi dhe hapi klinikën e tij. Në vitin 2021 po përgatitej për një udhëtim në Evropë, kur ndodhi grushti i shtetit dhe junta ushtarake burgosi udhëheqësit e zgjedhur të vendit. Fillimisht mori pjesë në protesta paqësore.
Por kur ushtria filloi të vriste qindra protestues të paarmatosur, përfshirë edhe fëmijë të vegjël, u largua në një rajon kufitar. Atje, grupet e armatosura etnike u dhanë trajnim bazë qytetarëve të zakonshëm si ai. “Isha i zoti të mbaja një stetoskop, jo një armë”, tha ai. Megjithatë, ai fitoi respektin e të gjithëve.
Fillimisht drejtoi një njësit mjekësor dhe më pas bindi vullnetarë nga qyteti i tij të formonin një batalion të Forcave të Mbrojtjes Popullore (PDF), pjesë e rezistencës së organizuar nga qeveria në ekzil. Ushtarët e tij treguan se si ishte jeta para grushtit të shtetit. Njëri studionte fizikë në universitet. Një tjetër punonte në marketing. Disa kanë qenë adoleshentë kur morën armët.
Dy prej tyre vetëm 17 vjeç. Shumë kanë lënë pas jetën normale, familjen, martesën, fëmijët dhe planet për të ardhmen, për t’iu bashkuar asaj që e quajnë “revolucioni”. Njësia e Lone Lonet ka mbërritur në front lufte tek një javë më herët. Në fund të dhjetorit, pas një beteje shtatëmujore në shtetin Shan, 15 batalione rebele, përfshirë edhe të tijin, u detyruan të tërhiqeshin.
Ushtria e Birmanisë furnizohet me armë nga Rusia dhe Kina, ndërsa rebelët kanë humbur shpresën për mbështetje financiare nga Perëndimi. Tërheqja ishte aq e shpejtë sa luftëtarët u detyruan të linin pas edhe elefantët e tyre të luftës – simbol i historisë ushtarake të Birmanisë. “Na mungojnë plumbat”, tha Dr. Lone Lone.
“Ndihem i dëshpëruar sepse nuk kemi mbështetje nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, edhe pse po luftojmë për demokraci federale”. Ndërkohë, gjeneralët e Birmanisë mbështeten nga fqinjët e tyre si Kina, India dhe Tajlanda. Këto vende kanë mbështetur në heshtje zgjedhjet e fundit, të cilat Kombet e Bashkuara i cilësuan si një farsë.
Pas grushtit të shtetit, investimet perëndimore u larguan nga vendi. Ushtria vazhdon të sigurojë të ardhura nga projekte si miniera e bakrit në Birmaninë qendrore, e operuar nga një kompani e lidhur me prodhuesin shtetëror kinez të armëve “Norinco”. Për të mbrojtur këto interesa, ushtria ka djegur dhe plaçkitur fshatra, si dhe ka bombarduar strehimore të personave të zhvendosur.
Ko Thu Rein, komandant gueril në Anyar, i cili dikur punonte në atë minierë bakri, tha se qeveria në ekzil i ka dhënë njësisë së tij prej 80 luftëtarësh vetëm pesë pushkë. Me paratë e tyre, ata kanë arritur të siguronin edhe dhjetë të tjera. Luftëtarët kanë ndërtuar lëshues mortajash me mjete të improvizuara, por nuk kanë predha për t’i përdorur.
“Ka vdekje kudo” Banorët e fshatit e kanë të pamundur t’i numërojnë sulmet. Një grua madje tha se njerëzit nuk kanë më as lot për të derdhur. Fshati kontrollohej nga forcat rebele dhe shërbente si qendër furnizimi për luftëtarët. Kjo ishte një nga arsyet pse ushtria e Birmanisë e kishte goditur vazhdimisht zonën. Megjithatë, jeta disi vazhdonte. Njerëzit duhej të hanin.
Në një restorant të vogël ende shërbeheshin makarona. Radiot mbi tavolina transmetonin vazhdimisht informacione dhe paralajmërime. Strehimorja kundër bombardimeve ndodhej pas restorantit. Ajo dukej shumë e vogël për të strehuar të gjithë njerëzit që ndodheshin aty. Pronarja e restorantit, Daw Wah Wah, fillimisht nuk e mban mend se kur ishte sulmi i fundit. Pastaj u kujtua.
Rreth tre kilometra larg kishte ndodhur një sulm ajror që ua mori jetën 6 personave. “Dje”, tha ajo. “E harrova, sepse ka vdekje kudo”. Nga bombardimet edhe depoja e karburantit e Ma Khin Moe Hninit saj u dogj. Në zonë u shkatërruan gjithashtu një klinikë mjekësore, një bujtinë dhe një kafene ku njerëzit përdornin internetin përmes sistemit satelitor “Starlink”.
Dhjetë persona humbën jetën. Mes tyre edhe kunati i saj. “E dija se një ditë do të ndodhte”, tha ajo. “Bombat bien gjithmonë”. Pika e thyerjes Ko Thet Gyi prezantohet si “vëllai zero”. Ai vepronte në territorin e kontrolluar nga rebelët pranë qytetit Myingyan, jo larg Mandalayt, qytetit të dytë më të madh në Birmani. Ai qe artist përpara grushtit të shtetit. Më pas mori armët.
Gruaja i mbeti në territorin e kontrolluar nga junta ushtarake. Për shkak të lidhjes me të, ajo u dënua me 25 vjet burg. Fytyra e saj – tatuazh në krahun e tij. Ai shpjegoi se një gropë e madhe e krijuar nga një bombë përdorej si burg për ushtarët që përpiqeshin të largoheshin nga njësia. Pas pesë vjetësh luftë dhe me pak shpresë për fundin e saj, rastet e dezertimit ishin shtuar shumë.
“Nuk kemi shumë zgjidhje”, tha ai. “Duhet t’i mbajmë ushtarët tanë”. Në shkurt, një komandant rebel i Anyarit, pas mosmarrëveshjeve me drejtues të tjerë, iu dorëzua ushtrisë së Birmanisë. Pak kohë më vonë, sulmet e sakta ndaj forcave të rezistencës u shtuan ndjeshëm. Shumë besonin se ushtria po përdorte informacionet që ai ua dha.
Pas vizitës së “New York Timesit”, në mesin e marsit rebelët humbën edhe qytetin strategjik Tagaung, të cilin e kishin nën kontroll nga viti 2024. Edhe njerëzit e Lone Lonet u detyruan të tërhiqeshin nga pozicionet. Batalioni i tij tani është përgjysmuar. Por Lone Lone ruante të qeshurën e tij të veçantë edhe pse udhëhiqte luftëtarë në një luftë që dukej pa fund.
“Nëse nuk arrij ta fitoj revolucionin, do të bëhem murg. Unë përpiqem të meditoj sa më shumë. Por ndonjëherë, në këtë botë, është shumë e vështirë”, tha ai.
