Gjykata e dënon me 4 muaj burgim me kusht të akuzuarin për kanosjen e gazetarit Ardit Kika

0%

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me katër muaj burgim me kusht Agron Kyçyku, i akuzuar për kanosjen e gazetarit të KTV-së, Ardit Kika. Sipas njoftimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), dënimi është shqiptuar me periudhë verifikuese prej një viti. Po ashtu, gjykata ka vendosur si dënim plotësues ndalimin e qasjes së të dënuarit në rrjetet sociale për gjashtë muaj.

I akuzuari thuhet ka pranuar fajësinë për veprën penale “Kanosje” ndaj gazetarit Kika. AGK e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm në përpjekjet për ndëshkimin e sulmeve ndaj gazetarëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mirëpret këtë vendim dhe e sheh atë si shumë të rëndësishëm në betejën për ndëshkimin e sulmeve ndaj gazetarëve”- thuhet në reagimin e AGK-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

AGK ka përsëritur gjithashtu thirrjen ndaj institucioneve të drejtësisë që të zbatojnë politika më të ashpra ndëshkimore për rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, pasi, sipas tyre, këto veprime ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e medias në Kosovë.

Gazetari Ardit Kika ishte kërcënuar përmes rrjeteve sociale pas raportimit të tij në KTV lidhur me një fabrikë të rreme të dronëve ushtarakë në Gjilan. Sipas AGK-së, në mesazhin kërcënues të dërguar ndaj gazetarit thuhej se “këta i ndal vetëm likuidimi në emër të popullit…”, duke e akuzuar atë dhe mediat për përhapje të dezinformatave.

“AGK-ja i inkurajon të gjithë gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë që t’i raportojnë rastet e kërcënimeve ndaj tyre në Policinë e Kosovës”- shkruan tutje AGK. &nbsp

Burimi: Kallxo