Protesta e 27-të për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë është shoqëruar me emocione të forta, teksa një protestuese nga Mirdita mbajti një fjalim të ndjerë, duke bërë thirrje që qytetarët të mos tërhiqen deri në arritjen e objektivit të tyre.
E përlotur, ajo tha se kishte lënë jetën në Europë për t’u kthyer në Shqipëri, me qëllim që fëmijët e saj të rriteshin pranë gjyshërve, por u shpreh e zhgënjyer nga realiteti që, sipas saj, gjeti në vend. “Sot e mora vesh se dy arat ngjitur me stallën mund të vijë një rus apo një iranian t’i blejë, sepse unë nuk i blej dot.
Kush nuk ka qenë një herë në spital dhe nuk është kthyer i poshtëruar? Kush nuk ka qenë në doganë dhe nuk është neglizhuar, apo nuk i është nënshtruar administratës? Bashkitë drejtohen nga militantë. Injorantët po e udhëheqin Shqipërinë. Unë dua të mos dorëzohemi!
Jemi këtu kundër të gjithë atyre që janë ulur në ato karrige, kundër një sistemi që na dëboi zemrat, për ato nëna që puthin telefonin sepse nuk i kanë fëmijët këtu. Ku jeton, mor zoti Kryeministër? Çohuni, shqiptarë!”, u shpreh protestuesja.
