Kur një shoqëri humb respektin për njerëzit, institucionet dhe vlerat që e kanë ndërtuar, ajo rrezikon të humbasë edhe të ardhmen e saj. Ka momente kur armiku nuk vjen nga jashtë. Ai lind brenda nesh, në mënyrën si flasim për njëri-tjetrin, si i gjykojmë njerëzit, si i trajtojmë institucionet dhe si i zhvlerësojmë vlerat që janë ndërtuar me mund e sakrificë.
Shqiptarët kanë kaluar shekuj të tërë duke luftuar për gjuhën, arsimin, lirinë dhe shtetin. Breza të tërë sakrifikuan gjithçka për të ngritur shkolla, universitete, akademi, biblioteka dhe institucione që sot janë themeli i identitetit tonë kombëtar. Mirëpo, paradoksi ynë më i madh është se atë që mezi e kemi ndërtuar, shpesh jemi të parët që përpiqemi ta rrëzojmë.
Është bërë pothuajse modë të mohohet çdo kontribut. Në vend që të debatojmë me argumente, sulmojmë njerëzit. Në vend që të korrigjojmë gabimet, përpiqemi të shkatërrojmë gjithçka. Çdo ndryshim shoqërohet me dëshirën për të fshirë gjurmët e atyre që kanë punuar më parë, sikur historia të fillonte gjithmonë me ne.
Një popull nuk bëhet më i madh duke rrënuar figurat e tij, as duke përçmuar institucionet që i ka ndërtuar vetë. Përkundrazi, forca e një kombi matet me aftësinë për të ruajtur trashëgiminë, për ta përmirësuar atë dhe për të ndërtuar mbi themelet ekzistuese. Kritika është e domosdoshme në një shoqëri demokratike. Askush nuk është mbi kritikën.
Por kritika nuk duhet të jetë sinonim i urrejtjes, përbuzjes apo shkatërrimit. Qëllimi i saj duhet të jetë përmirësimi, jo rrënimi. Nëse vazhdojmë të shembim çdo urë që kemi ndërtuar, çdo institucion që kemi krijuar dhe çdo personalitet që ka dhënë kontribut, do të mbetemi një shoqëri që fillon gjithmonë nga e para.
Ndërsa popujt e qytetëruar ecin përpara duke ndërtuar mbi arritjet e brezave të mëparshëm. Është koha të kuptojmë se shtëpia jonë e përbashkët nuk mbahet në këmbë nga përçarja, por nga respekti, jo nga mohimi, por nga vlerësimi, jo nga rrënimi, por nga ndërtimi. Sepse, në fund, askush nuk fiton kur shemb shtëpinë e vet. Humbim të gjithë.
Autori është njohës i shkencave politike dhe marrëdhënieve nderkombëtare.
