Legjenda e futbollit francez, Thierry Henry, ka mbushur me elozhe Lionel Messi pas paraqitjes spektakolare të kapitenit argjentinas në fitoren 3-0 ndaj Algjeria në Botërorin 2026. Messi realizoi një tripletë historike, duke barazuar rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose në krye të listës së golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në Kupën e Botës. Duke komentuar arritjen e argjentinasit, Henry u shpreh se bota e futbollit sapo ka qenë dëshmitare e një momenti historik. “Historia sapo është shkruar dhe ajo që e bën edhe më mbresëlënëse është fakti se Lionel Messi është ai që po e arrin këtë në skenën më të madhe të futbollit. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Kupën e Botës. Ndaluni një moment dhe mendoni për këtë. Po flasim për një rekord që të gjithë mendonin se do të mbetej i pathyeshëm”, deklaroi francezi. Henry theksoi se performanca e Messit kundër Algjerisë tejkalon çdo standard të zakonshëm të madhështisë sportive. “Një tripletë kundër Algjerisë, në Botërorin e tij të gjashtë dhe në moshën 38-vjeçare. Kjo shkon përtej madhështisë së zakonshme. Çdo brez ka disa futbollistë të jashtëzakonshëm, por Messi është diçka krejtësisht tjetër.” Ish-sulmuesi francez shtoi se statistikat dhe rekordet e kapitenit të Argjentinës tashmë flasin më shumë se çdo debat apo krahasim. “Njerëzit mund të diskutojnë dhe të krahasojnë sa të duan, por rekorde të tilla flasin më fort se çdo opinion.” Sipas Henry-t, një nga aspektet më të veçanta të karrierës së Messit është aftësia për të shkëlqyer nën presionin më të madh. “Pesha e pritshmërive, presioni dhe përgjegjësia e një kombi të tërë mbi shpatullat e tij nuk e kanë penguar kurrë. Përkundrazi, ai vazhdon të japë paraqitjet e tij më të mira pikërisht kur momentet janë më vendimtare. Ky nuk është thjesht një rekord i ri në futboll, por pavdekësi e vërtetë sportive. Sonte, Messi nuk shënoi vetëm tre gola, ai vulosi përgjithmonë vendin e tij në histori”, d eklaroi Henry.
