Shpërndaje në: Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë thirrje për zgjedhje të reja brenda partisë. Sipas tij, zgjedhjet e reja për lidership të partisë janë zgjidhja. Ai ka thënë se “zgjedhjet duhet të çojnë drejt bashkimit rreth një lidershipi të ri”.
Disa degë të LDK-së kanë kërkuar ditë më parë dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku pasi sërish në zgjedhje parlamentare doli i treti. Ai kundërshtoi duke thënë se më 31 janar mori besimin për të çuar deri në fund mandatin si kryetar. Madje i akuzoi degët për sabotim e u kërkoi kryetarëve të tyre dorëheqje për rezultatin.
Tani Gashi, në një shkrim në Facebook ka thënë se kur partia nuk arrin ta fitojë besimin e qytetarëve, s’duhet të kërkohen fajtorët por përgjigjet. “Kur mungon suksesi, duhet me mbizotëru arsyeja mbi emocionin, institucioni mbi individin dhe interesi i LDK-së e i Kosovës mbi çdo interes personal. Demokracia e brendshme nuk asht rrezik; ajo asht forca jonë ma e madhe.
Prandaj, zgjedhjet nuk janë problemi. Zgjedhjet janë zgjidhja. Janë mekanizmi që rikthen legjitimitetin, besimin dhe energjinë për nji cikël të ri politik. As LDK-së e as Kosovës nuk i shkon për shtat vendi i tretë. Kjo nuk mundet me u ba normalitet. Anëtarësia, strukturat dhe elektorati ynë kërkojnë ma shumë. Kërkojnë nji LDK që fiton, që qeveris dhe që udhëheq me vizion.
Le t’i kthehemi burimit të forcës sonë: demokracisë, meritokracisë dhe vlerave. Le të shkojmë në zgjedhje brenda LDK-së, jo me u nda, por me u bashku rreth nji legjitimiteti të ri, nji lidershipi të ri dhe nji misioni të përbashkët”, ka shkruar ai. Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja mbeti e treta. Ajo mori 16.69 për qind të votave, ndërsa në Kuvend u rrit për tre deputetë.
Në listë ajo riktheu ish-presidenten Vjosa Osmani. Në fushatë u proklamua si “bashkimi i madh i së djathtës”. Abdixhiku mori mbështetjen e partisë për të vazhduar si kryetar më 31 janar, kur u votëbesua nga anëtarësia pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Edhe atëherë ishte forcë e tretë, por me 13.24 për qind të votave.
