Lodhja e vazhdueshme, mungesa e oreksit, irritimi, vështirësitë në përqendrim, mosrritja e mjaftueshme në peshë dhe infeksionet e shpeshta mund të jenë shenja që një fëmijë vuan nga anemia. Anemia është një problem i zakonshëm sidomos te fëmijët nën moshën dy vjeçare dhe lidhet shpesh me mungesën e hekurit në organizëm.
Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë një regjim ushqimor të pasur me hekur dhe ndjekjen e këshillave të pediatrit për rastet kur nevojiten suplemente. Fëmijët e lindur para kohe ose ata që ndërpresin ushqyerjen me gji herët mund të kenë nevojë për burime shtesë hekuri, pasi rezervat natyrore të organizmit të tyre janë më të kufizuara.
Specialistët këshillojnë që qumështi i lopës të mos u jepet foshnjave para moshës 9 muajshe, pasi ai përmban më pak hekur dhe mund të ndikojë në përthithjen e tij. Pas kësaj moshe, ai mund të përfshihet gradualisht në dietë sipas rekomandimeve të mjekut.
Ndër ushqimet më të pasura me hekur për fëmijët përfshihen drithërat e fortifikuara, mishi, mëlçia (me konsum të kufizuar), bishtajoret si thjerrëzat dhe fasulet, e verdha e vezës, si dhe perimet me gjethe jeshile. Gjithashtu, vitamina C ndihmon në përthithjen më të mirë të hekurit.
Prandaj, në vaktet e fëmijëve rekomandohet të përfshihen fruta dhe perime si portokalli, limoni, kivi, domatet dhe specat. Ekspertët sugjerojnë edhe shmangien e çajit gjatë vakteve, pasi ai mund të pengojë përthithjen e hekurit, si dhe preferimin e gatimit me avull ose zierjes së lehtë në vend të skuqjes së tepërt, për të ruajtur vlerat ushqyese të ushqimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
