Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, i cili kishte kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së në nivel vendi.
Me aktgjykimin e 25 qershorit 2026, Supremja ka lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vlerësuar se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete që do të arsyetonin një rinumërim të përgjithshëm të votave.
Sipas Gjykatës, rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përbëjnë 7.41 % të të gjitha vendvotimeve të rregullta, ishte bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si pjesë e mekanizmit kontrollues të paraparë me ligj dhe jo për shkak të konstatimit të parregullsive sistematike në procesin e numërimit.
Në aktgjykim thuhet se rezultatet e këtij rinumërimi nuk kanë dëshmuar një model të përgjithshëm të pasaktësive, pasi disa kandidatë kanë fituar vota, ndërsa të tjerë kanë humbur në mënyrë minimale.
Për kandidatin Qëndrim Kryeziu, Gjykata konstatoi se pas rinumërimit rezultati ka ndryshuar vetëm në dy vendvotime, duke humbur gjithsej dy vota, e jo 589 vota më shumë, siç ishte pretenduar në ankesë.
Gjykata Supreme theksoi gjithashtu se ankuesi nuk ka identifikuar vendvotime konkrete, qendra votimi apo prova materiale që do të mbështesnin pretendimet për parregullsi në vendvotimet që nuk janë rinumëruar. Sipas gjykatës, dyshimet e ngritura kanë mbetur në nivel supozimesh dhe nuk mund të shërbejnë si bazë ligjore për urdhërimin e një rinumërimi të përgjithshëm.
Për këto arsye, Gjykata vlerësoi se PZAP kishte vepruar drejt kur e refuzoi ankesën, duke konstatuar se nuk ishin paraqitur dëshmi të qarta dhe bindëse për shkelje që do të cenonin integritetin e procesit zgjedhor.
Me te njëjtën kërkesë, Gjykatës Supreme i ishte drejtuar edhe Bekim Haxhiu, por në lidhje me ankesën e tij nuk është publikuar ndonjë aktgjykim deri në publikimin e këtij artikulli.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte hedhur poshtë ankesat e Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave të Partisë Demokratike të Kosovës, konkretisht të kandidatëve për deputetë të këtij subjekti politik.
Të dy, kërkesën e kishin të bazuar në ndryshimet në votat e tyre pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, për të cilat mori vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
KQZ në përgjigjen e saj për PZAP-në, ka thënë se pas rinumërimit të këtyre vendvotimeve nuk është evidentuar ekzistimi i ndonjë modeli sistematik të pasaktësive, pasi ndryshimet janë evidentuar në të dy drejtimet, ku një numër kandidatësh kanë fituar vota ndërsa kandidatë të tjerë kanë humbur vota.
Ky institucion po ashtu ka thënë se ankuesit nuk kanë identifikuar ndonjë vendvotim apo qendër votimi jashtë mostrës së rinumëruar dhe nuk kanë paraqitur prova konkrete që do të mbështesnin pretendimin e tyre. PZAP pasi shqyrtoi ankesat, erdhi në përfundim se ato janë të pabazuara.
“Nga përmbajtja e këtij vendimi rezulton se rinumërimi është urdhëruar si pjesë e një mekanizmi kontrollues të paraparë me legjislacionin zgjedhor, me qëllim verifikimin saktësisë së procesit të numërimit dhe jo si rezultat i konstatimit paraprak të parregullsive sistematike në procesin e administrimit dhe numërimit të votave.”- thuhet në vendimin e PZAP-së.
Për rastin e Qëndrim Kryeziut që kishte pretenduar se ka 589 vota më shumë pas rinumërimit të 185 vendvotimeve, PZAP ka thënë se realisht, atij i kanë dalur dy vota më pak dhe se pretendimi i tij nuk përputhet me të dhënat e KQZ-së. Vendimet për këto raste mund të qasen këtu dhe këtu .
