31 vite “Bota Sot”: Gazeta që i dha zë diasporës shqiptare në kohët më të errëta

0%

Më 26 qershor, gazeta “Bota Sot” shënon 31-vjetorin e themelimit, duke kurorëzuar mbi tri dekada angazhim në shërbim të informimit të drejtë, fjalës së lirë dhe çështjes kombëtare.

E themeluar në Cyrih më , në një kohë kur Kosova ishte nën regjimin serb dhe fjala e lirë ishte e kufizuar, “Bota Sot” u shndërrua shpejt në një tribunë të fuqishme të informimit dhe në zërin e diasporës shqiptare, duke krijuar një urë të qëndrueshme komunikimi mes mërgatës dhe atdheut.

Në vitet më të vështira për Kosovën, kur informacioni i besueshëm ishte jetik, gazeta luajti një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e zhvillimeve politike, shoqërore dhe kombëtare, duke mbajtur të informuar qindra mijëra shqiptarë në Evropë, Amerikë dhe më gjerë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përmes raportimit të saj, “Bota Sot” kontribuoi në sensibilizimin e opinionit vendas dhe ndërkombëtar për zhvillimet në Kosovë, ndërsa njëkohësisht forcoi lidhjet e diasporës me vendlindjen.

Përgjatë këtyre 31 viteve, “Bota Sot” është shndërruar në një pikë të rëndësishme referimi për shqiptarët kudo që jetojnë, duke promovuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, si dhe duke mbajtur gjallë frymën e solidaritetit dhe angazhimit kombëtar.

Shala: Me padurim është pritur shpërndarja e saj këtu në New York, duke organizuar pika shpërndarëse për lexuesit e saj besnikë Hafiz Shala E me rastin e përvjetorit të themelimit të gazetës “Bota Sot” dhe ndikimit të saj ndër vite në mërgatën shqiptare, foli publicisti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hafiz Shala.

Fillimisht, ai vlerësoi lartë punën e gazetës kombëtare “Bota Sot”, saktësinë, përmbajtjen dhe dedikimin e saj ndaj çështjeve kombëtare, diasporës dhe lexuesit. “Mbi tri dekada veprimtari brilante informative të gazetës kombëtare “Bota Sot”, e cila fitoi besimin dhe ndjenjat e lexuesve në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në diasporë.

Gazeta kombëtare “Bota Sot” lirisht mund të renditet në mesin e gazetave më prestigjioze botërore, sepse ishte e saktë, e vërtetë, e dedikuar për lexuesit pasionantë të së vërtetës dhe afirmimit të temave me përmbajtje të interesit të përgjithshëm, me theks të atyre me interes gjithëkombëtar”.

Krahas kësaj, Shala në bashkëbisedimin e tij me “Bota Sot” kujtoi kohën kur ishte shumë e vështirë të shprehej fjala e lirë dhe të thuhej e vërteta, për shkak të politikave dhe rrymave të ndryshme. Mirëpo, ai theksoi se pronari, stafi dhe gazetarët e kësaj medie qëndruan të fortë ndaj parimeve dhe së vërtetës, ku fatkeqësisht kishte edhe gazetarë të vrarë ndër vite.

“Edhe atëherë kur fjala e lirë tentohej të kontrollohej, të imponoheshin politika të klaneve dhe rrymave të ndryshme, “Bota Sot” e kishte programin e interesit nacional dhe i zbrapste të gjitha, duke vazhduar me plotësimin e kërkesave të opinionit të gjerë.

Për këtë, pronari, stafi dhe gazetarët e këtij mediumi, siç do ta quaja unë, New York Times-i i Republikës së Dardanisë, duke u qëndruar stoikë parimeve dhe fjalës së dhënë lexuesve, disa gazetarë u shndërruan në martirë e heronj…

Asnjëherë nuk duhet harruar gazetarët e vrarë, si: Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti etj.” Publicisti nga SHBA theksoi se “Bota Sot” është gazetë kombëtare, pasi pavarësisht presioneve, sulmeve e atentateve, asnjëherë nuk i zhgënjeu lexuesit e saj dhe vazhdoi me informimin e drejtë dhe të saktë.

Po ashtu, ai kujtoi edhe kohën kur me padurim pritej shpërndarja e saj në New York, duke organizuar pika shpërndarëse për lexuesit besnikë. “Ishte gazetë me të vërtetë kombëtare, sepse me një informim të drejtë dhe në kohë… Zhvilloi veprimtarinë informative nën përcjelljen e organeve të sigurimit… përmes një sulmi me shishe vere të mbushur me eksploziv…

Autori i dyshuar u dënua me 11 vjet burg…” Guximi dhe profesionalizmi ishin virtytet e pandashme, prandaj u bë gazeta më e preferuar për informata të sakta, të vërteta dhe të drejtpërdrejta nga atdheu dhe bota. Me kënaqësi dhe padurim është pritur shpërndarja e saj në New York, duke organizuar pika shpërndarëse për lexuesit e saj besnikë. Në fund, ai përgëzoi botuesin z.

Xhevdet Mazrekaj, stafin dhe bashkëpunëtorët… “Me këtë rast, dëshiroj të përgëzoj botuesin, stafin redaktues dhe gazetarët…” Gazeta “Bota Sot” do të jetojë për sa kohë të ketë diell e hënë, ujë dhe ajër”, përfundoi Hafiz Shala.

Qarri: ‘Bota Sot’, zëri i diasporës dhe tribunë e së vërtetës në kohët më të vështira për Kosovën Gani Qarri Kurse analisti nga diaspora, Gani Qarri, me rastin e 31-vjetorit të themelimit të gazetës “Bota Sot”, vlerësoi lart rolin historik të saj, duke e cilësuar atë si një nga mediat që në periudhat më të vështira për Kosovën dhe shqiptarët mbrojti fjalën e lirë dhe informimin e drejtë.

Sipas tij, “Bota Sot” ishte shumë më tepër se një gazetë, pasi u shndërrua në një tribunë të së vërtetës dhe në një zë të fuqishëm të diasporës shqiptare.

“”Bota sot” apo gazeta kombëtare e themeluar para 31 vitesh, vijon të çmohet edhe sot për guximin në plasimin e fjalës së lirë dhe vlerësohet lartë për shprehjen e të vërtetës, e cila edhe në periudhat më të vështira dhe vendimtare për popullin shqiptar, ka luajtur rol të pazëvendësueshëm për informimin real e të paanshëm të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar, veçanërisht në vitet më të rënda të luftës, kur Kosova përballej me okupimin klasik nga Serbia fashiste dhe regjimi okupator serb, i cili kishte mbyllur Universitetin, shkollat fillore e të mesme dhe të gjitha mediat në gjuhën shqipe.

Ndaj me rastin e përvjetorit të themelimit të kombëtares “Bota sot”, në kohë dhe vitet më të vështira për vendin, e sidomos për mërgimtarët kudo në botë, ajo përmes raportimit të shpejt, real dhe të paanshëm të ngjarjeve politike, shoqërore e kombëtare u shndërrua në zërin më të fuqishëm të informimit mbarëkombëtar, duke kontribuar fuqishëm në fjalën e lirë ,formësimin e mendimit publik, forcimin e vetëdijes kombëtare dhe ruajtjen e lidhjeve të shqiptarëve me vendin e tyre, kohë kur ajo u shndërrua pothuajse në medium institucional informativ dhe një nga dritaret e vetme të periudhës më të errët informative në Kosovë, përmes së cilës shqiptarët kishin mundësi të mësonin realitetin dhe të informoheshin për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit edhe në vitet e luftës në Kosovë.

Duke folur për rrugëtimin 31-vjeçar të gazetës, Qarri veçon rolin pionier të “Bota Sot” në gazetarinë shqiptare dhe sfidat e shumta me të cilat është përballur ndër vite. Ai vlerëson se, çmimi i qëndrimit të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës ka qenë i lartë, por kjo nuk e ka penguar gazetën të mbetet një prej zërave më të besueshëm të informimit në hapësirën shqiptare.

“Kombëtarja “Bota Sot”, është e përditshmja e parë e pavarur informative në gjuhën shqipe, që doli në diasporë dhe një ndër emrat më të njohur të gazetarisë shqiptare, që nisi një standard të ri të informimit me publikimin e lajmeve të vërteta e autentike, ashtu siç ndodhnin në teren, duke shkaktuar pezmatimin më të madh të kriminelëve të cilët, veçanërisht pas lufte ishin mësuar të ledhatoheshin, të trajtoheshin si heronj dhe përshkruheshin si engjëj nga mediat tjera puthadorë, gjë që kombëtares “Bota Sot” i kushtoi shumë, e pagoi me humbjen e jetës së disa bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve më të shquar të saj, vrasësit e të cilëve sot e atëherë nuk janë zbuluar asnjëherë, nga drejtësia e kalbur, e kapur dhe e amortizuar tërësisht e Kosovës, madje Editori Mazrekaj dhe familja e tij, përjetoi edhe një atentat me bombë të kurdisur, që e paketuar në formë “dhurate”, u ishte dërguar përmes postës në shtëpi.

“Bota sot”, lindi furishëm për të vijuar pandalshëm, përkundër shumë përpjekjeve e peripecive atëherë e sot, si një gazetë shumë dimensionale dhe me një platformë të veçantë mediatike, shumë më ndryshe nga mediat tjera, duke mbetur e përditshme informative-shembull dhe e pa-konkurrencë që nga publikimi i parë, e cila këto ditë feston me krenari edhe përvjetorin e saj të 31-të, një rrugëtim ky i gjatë e shumë i vështirë, por i suksesshëm e afirmativ, i një medium shembull informativ, që ka arritur të ndikojë shumë dhe avancojë dukshëm edhe në zhvillimin e mendimit të lirë e pa frikë, informimit të drejtë e të pavarur dhe mbajtjen gjallë e forcimin e ndjesisë kombëtare te të gjithë shqiptarët në diasporë, Kosovë dhe kudo jetojnë bashkëkombësit në trojet tona etnike”.

Krahas kësaj, analisti nënvizoi se “Bota Sot” ka qenë një e përditshme kombëtare me rol të veçantë në diasporë, e cila pavarësisht sfidave dhe presioneve të shumta, ka mbetur një simbol i fortë i informimit të lirë dhe i identitetit kombëtar shqiptar. Ai thekson se gazeta ka kontribuar në informimin e drejtë, edukimin atdhetar dhe forcimin e lidhjes së diasporës me atdheun.

“E përditshme kombëtare që shquhej për veprimtarinë shumëdimensionale informative me të cilën kemi pirë kafen e mëngjesit dhe kaluar ditën, deri në mbrëmje të vonë, nën shoqërimin e saj, mediumi Pinjoll dhe simboli më i fortë, i autoktonisë shqiptare në mërgim e diasporë që jo vetëm ka funksionuar suksesshëm dhe pareshtur, por përkundër presioneve të papara, pengesave të mëdha e kërcënimeve të panumërta, ka funksionuar pandalshëm, mbijetuar dhe edituar me sukses impresionues edhe në vitet më të vështira të kohës së okupimit klasik të Kosovës nga Serbia fashiste.

“Bota Sot” iu përkushtua me tërë qenien e saj edituese, informimit të drejtë të opinionit të brendshëm e të jashtëm, edukimit atdhetar të gjeneratave të reja, rritjes së patriotizmit te shqiptarët brenda e jashtë vendit, forcimit të shpresës së tyre për ditë më të mira dhe lirinë që gëzojmë të gjithë ne, përfshi gjeneratat e reja të fëmijëve mërgimtar, të cilët sot përbëjnë një armatë të tërë dhe të madhe intelektualësh, ekonomistësh në zë, juristësh e veprimtarësh tjerë të zot, të profileve nga më të ndryshmet në diasporë, duke ngritur lart idealin e shenjt të lirisë, me të cilin, kanë shumë të përbashkëta, përjetime pothuajse të njëjta, qëndrim të fortë e të pathyeshëm dhe bashkëudhëtim pothuajse të njëkahshëm e po aq bujshëm, deri në pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe jetës në liri, të kësaj pjese të etnisë tonë kombëtare dhe trevës më atdhetare në tërësinë e gjeografisë mbarëshqiptare”, deklaroi ai pwr “Bota sot”.

Më tej, Qarri foli se si “Bota Sot” ka ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në forcimin e shpirtit patriotik të shqiptarëve, duke rritur gatishmërinë e mërgatës për t’iu bashkuar përpjekjeve për liri dhe çlirim të Kosovës.

Ai thekson se në kohën e okupimit, gazeta u shndërrua në një dritare të rëndësishme informative dhe në mbështetje të fuqishme të kauzës së lirisë së shqiptarëve.

“Kombëtare që” ngriti e forcoi edhe vrullin e veprimtarisë dhe ndikoi në rritjen e ndërgjegjes kombëtare, forcoi e kaliti shpirtërisht vendosmërinë patriotike të shqiptarëve si dhe përshpejtoi gatishmërinë e bashkëatdhetarve kudo, e veçanërisht të atyre në mërgim, për t`iu bashkuar luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe çlirimin përfundimtar të vendit nga kthetrat e okupimit klasik të Serbisë fashiste që atëbotë udhëhiqej nga kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq me ministër të informimit presidentin aktual serb, kriminelin Aleksandër Vuçiq, të cilët në fund të shekullit XX mbyllën Universitetin e Kosovës, të gjitha shkollat fillore e të mesme dhe mediat në gjuhën shqipe.

Kohë, kur kombëtares “Bota Sot” edhe pse me botim jashtë vendit, i ra barra më e madhe për informimin publik, e cila hapi një dritare drite, edhe për shqiptarët në Kosovë, duke u shndërruar në krah informativ të luftës dhe shtytëse e organizimit të kryengritjes kombëtare për liri dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës nga okupimi i Serbisë fashiste”, shtjelloi Qarri.

Mes tjerash, ai shtoi se “Bota Sot” u themelua në kohën e terrorit dhe izolimit informativ në Kosovë, duke u shndërruar në një zë të rëndësishëm të rezistencës shqiptare dhe një platformë të fuqishme informimi për çështjen kombëtare në diasporë.

Sipas tij, gazeta ka vazhduar edhe pas luftës të mbetet një medium i përkushtuar ndaj së vërtetës, me raportim të shpejtë dhe hulumtues për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit.

“E themeluar në ditët më të rënda të terrorit serb dhe territ të plotë informativ, që Serbia fashiste kishte futur me dhunë në Kosovë, kombëtarja “Bota Sot” duke mbajtur lidhje të përhershme me udhëheqjen e atëhershme shtetërore të kryesuar nga Dr.

Ibrahim Rugova, pothuajse u shndërrua në platformë zyrtare të informimit institucional jashtë vendit, dhe ent për fuqizimin e rezistencës shqiptare në Kosovë!

Kombëtarja “Bota Sot” përmes përpjekjeve të fuqishme për ruajtjen dhe avancimin e çështjes kombëtare, ofronte informim të shpejt e real dhe të pandalshëm hulumtues e investitagiv për luftën dhe zhvillimet në vend, përkundër pengesave e sfidave të panumërta, në periudhat më të vështira të luftës dhe përpjekjeve mbinjerëzore të popullit shqiptar në Kosovë për jetësimin e lirisë, me çka i shkaktonte një nga goditjet më të mëdha të kohës regjimit okupator serb dhe Serbisë fashiste të prirë nga kryekrimineli Sllobodan Milosheviq.

Gazetë e cila vijoi përpjekjet e pareshtura të saj në shërbim të çështjes së kombit dhe shtetit të Kosovës edhe pas çlirimit të atdheut duke mbetur gjithmonë zë i fuqishëm i informimit, pinjoll i pathyeshëm dhe organ mediatik i palëkundur i përçimit të fjalës së lirë, si gazetë e përshkrimit real të ngjarjeve dhe shembull e investigimit permanente të zhvillimeve reale, brenda dhe jashtë vendit, deri në ditët e sotme”, potencoi analisti.

Në fund, ai ritheksoi faktin se gjatë viteve të luftës në Kosovë, “Bota Sot” ishte një nga burimet kryesore të informimit për shqiptarët në diasporë, duke shërbyer si urë lidhëse mes mërgatës dhe atdheut, pavarësisht sfidave, presioneve dhe sulmeve të shumta ndaj saj.

Ai u shpreh se gazeta ka vazhduar edhe në periudhën e pasluftës të kontribuojë në informimin e opinionit publik dhe në pasqyrimin e zhvillimeve me qasje kritike, duke ruajtur besueshmëri dhe ndikim të lartë në hapësirën mediatike shqiptare.

“Gazetë mbarëkombëtare që në vitet e luftës në Kosovë, ishte burimi pothuajse i vetëm dhe kryesor autokton i informimit për shqiptarët jashtë vendit, e cila megjithëse kontribuoi aq shumë dhe u shndërrua në urë lidhëse ndërmjet mërgimtarëve shqiptar dhe Kosovës, hasi në vështirësi e pengesa të panumërta, derisa u shndërrua edhe në cak të sulmeve kriminale deri te ai terrorist, nga ata që donin ta mbysnin të vërtetën dhe vrisnin lirinë e fjalës.

Por përkundër të gjitha vështirësive, kombëtarja “Bota sot” përveç informimit të publikut dhe sensibilizimit të opinionit vendas e ndërkombëtar gjatë periudhës së luftës, ajo mbajti një qëndrim kritik ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, devijimeve politike dhe mungesës së ligjshmërisë ee të drejtësisë së paqenë, edhe në vitet e pasluftës, kështu që roli dhe kontributi madhor i saj ka ndikuar dukshëm, veçanërisht me sjelljen e këndvështrimeve të ndryshme në gazetë, me të cilat ajo ka ndihmuar shumë lexuesin shqiptar të krijoj një botëkuptim më të thelluar dhe më të gjerë mbi vërtetësinë e ngjarjeve, risitë dhe zhvillimet e përditshme politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, etj, dhe vijon të luaj rol kyç në informimin publik me reflektim real, cilësi në punë dhe informim të paanshëm mbi ato që ndodhin edhe aktualisht në vend dhe botë, duke mbetur një nga mediat me besueshmëri të lartë të informimit publik, kudo në trojet tona, pa dallim”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot