Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për rrëzimin e një padie për shpifje të ngritur ndaj saj nga sipërmarrësja Vilma Nushi. Përmes një deklarate publike, Vokshi tha se padia ishte ngritur nga Nushi, të cilën ajo e cilësoi si financuese të kryeministrit Edi Rama dhe përfituese të koncesionit të Check-Up-it. Sipas deputetes demokrate, vendimi i gjykatës përbën një tjetër etapë në përballjen e saj me atë që ajo e quan “oligarkia e shëndetësisë” dhe koncesionet me vlerë qindra milionë euro. “Një padi për shpifje e ngritur nga Vilma Nushi, financuese e Edi Ramës dhe përfituese e koncesionit të Check Up-it, u rrëzua nga gjykata dhe vendimi u la sot në fuqi edhe në Apel. Prej një dekade, jam në një betejë të pandërprerë në parlament dhe në gjykata me oligarkët e shëndetësisë dhe koncesionet 100 milionë euro, të konceptuara jo për pacientët, por për të shpërblyer klientët politikë të Edi Ramës. Kanë tentuar të më mbyllin gojën me padi. Dështuan. Nëse mendojnë se do të më frikësojnë me shpifje dhe letra anonime, gabohen! Në 10 vjet, jam mësuar të përballem me pushtetin e dukshëm dhe të padukshëm në anë të kundërta të barrikadës. Ata me pushtetin dhe koncesionet qindramilionëshe. Unë me të vërtetën dhe me interesin publik. Dhe kjo mbetet ende forca ime më e madhe.”, shkruan Vokshi.
Gjykata rrëzoi padinë e Vilma Nushit për shpifje, reagon Vokshi: Beteja ime kundër koncesioneve do të vazhdojë

Burimi:
Bota Sot