Më 26 qershor shënohet përvjetori i themelimit të gazetës kombëtare “Bota sot”, e cila u themelua në Cyrih të Zvicrës nga Xhevdet Mazrekaj dhe veprimtarë të tjerë të diasporës shqiptare. Sot, “Bota sot” shënon 31-vjetorin e themelimit, duke mbetur për më shumë se tri dekada pranë lexuesve si një zë i rëndësishëm informimi për zhvillimet në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, gazeta zgjeroi veprimtarinë e saj me hapjen e redaksisë qendrore në Prishtinë. Megjithatë, vitet e pasluftës do të shënonin edhe periudhën më të rëndë në historinë e saj, pasi “Bota sot” është njëra ndër mediat që ka humbur më së shumti gazetarë dhe bashkëpunëtorë në rrethana tragjike.
Periudha 2000–2005 ishte veçanërisht e rrezikshme për stafin e gazetës. Për shkak të shkrimeve të guximshme, linjës editoriale të afërt me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe kritikave ndaj strukturave të caktuara politike dhe kriminale, disa nga gazetarët dhe kolumnistët më të njohur të saj u vranë në atentate që edhe sot mbeten të pazbardhura.
Më u vra Xhemajl Mustafa, njëri ndër intelektualët, shkrimtarët dhe politikanët më të shquar të Kosovës. Ai ishte këshilltar i lartë politik i Rugovës dhe bashkëpunëtor i afërt i gazetës “Bota sot”. Mustafa u vra në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, në një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe shënoi fillimin e serisë së vrasjeve politike të pasluftës.
Një vit më vonë, më , u vra Bekim Kastrati, gazetar investigativ dhe raportues i rregullt i gazetës. Ai njihej për trajtimin e temave të ndjeshme që lidhen me krimin e organizuar dhe zhvillimet politike. Kastrati u ekzekutua në një pritë të armatosur në fshatin Laushë, teksa ndodhej në veturë me dy persona të tjerë.
Ndërkaq, më ndërroi jetë Bardhyl Ajeti, pas plagëve të marra në atentatin e 3 qershorit të atij viti. Ajeti ishte redaktor, gazetar dhe kolumnist i njohur i “Bota sot”, i dalluar për shkrimet e tij kritike në rubrikën “Pa dorëza”, ku trajtonte pa kompromis fenomenet negative në shoqërinë kosovare. Pas disa javësh në gjendje kome, ai ndërroi jetë në një spital në Milano të Italisë.
Pavarësisht kalimit të më shumë se dy dekadave dhe hetimeve të zhvilluara fillimisht nga UNMIK-u, më pas nga EULEX-i dhe institucionet vendore të drejtësisë, asnjë prej këtyre vrasjeve nuk është zbardhur plotësisht. Autorët dhe urdhëruesit e tyre vazhdojnë të mbeten të panjohur për drejtësinë.
Kujtimi i gazetarëve të vrarë motiv për vazhdim Me rastin e 31-vjetorit të themelimit të gazetës, gazetari Nebi Ajeti, njëherësh nip i Bardhyl Ajetit, ka kujtuar me respekt kolegët që humbën jetën në krye të detyrës.
Sipas tij, sakrifica dhe kujtimi i gazetarëve të vrarë mbeten një obligim për brezat e sotëm të gazetarëve që të vazhdojnë rrugën e gazetarisë së lirë, profesionale dhe të pavarur.
Gazetari Nebi Ajeti, njëherësh nip i Bardhyl Ajetit “Në 31-vjetorin e themelimit të gazetës ‘Bota sot’, përkulemi me respekt para kujtimit të kolegëve tanë që humbën jetën në ushtrimin e misionit të tyre gazetaresk. Sakrifica e tyre mbetet një dëshmi e fuqishme e përkushtimit ndaj së vërtetës, lirisë së shprehjes dhe informimit të drejtë të publikut.
Edhe pas shumë vitesh, moszbardhja e plotë e vrasjeve të tyre vazhdon të perceptohet si një plagë e hapur, jo vetëm për gazetën dhe familjet e tyre, por edhe për shoqërinë dhe drejtësinë në vend. Kujtimi i tyre na obligon që të vazhdojmë me integritet, profesionalizëm dhe guxim rrugën e gazetarisë së pavarur.
Nderimi më i madh për ta është të mos harrohen kurrë dhe të vazhdohet kërkimi i së vërtetës, ashtu siç bënë ata gjatë gjithë jetës së tyre ”, thotë Ajeti për “Bota sot”. Ajeti shpreh zhgënjim për mos zbardhjen e rasteve të vrasjes së gazetarëve, gjersa lë hapësirë për dyshime dhe pikëpyetje të shumta në opinion publik.
“Njëkohësisht, nuk mund të fshehim zhgënjimin tonë të thellë ndaj institucioneve përgjegjëse. Për më shumë se dy dekada, qeveri të ndryshme kanë premtuar zbardhjen e këtyre rasteve dhe vënien e drejtësisë në vend, por rezultatet kanë munguar. Kjo vonesë e gjatë dhe mungesa e përgjigjeve konkrete kanë lënë hapësirë për dyshime dhe pikëpyetje të shumta në opinionin publik.
Ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me seriozitet të plotë institucional, pa ndikime politike dhe pa kalkulime të interesave të ditës. Vetëm një hetim i pavarur, i paanshëm dhe i plotë mund të sjellë drejtësi për viktimat, familjet e tyre dhe për vetë shoqërinë.
Deri atëherë, plagët mbeten të hapura dhe përgjegjësia për të kërkuar të vërtetën mbetet obligim moral dhe profesional i yn i”, përfundon gazetari. Misoritë nuk e ndalën gazetën “Bota sot” Në përvjetor të 31- vjetorit të themelimit të gazetës, gazetarët e vrarë i ka kujtuar edhe kryeredaktorja e “Bota sot”, Mimoza Lakna, e cila thotë se ata nuk kanë rreshtuar së kërkuar drejtësi.
Lakna shprehet se “Bota sot” nuk ka bërë kompromis me të keqen. Mimoza Lakna Sipas saj, duhej shumë guxim për ta hulumtuar dhe plasuar gjendjen reale me të cilën përballej Kosova sidomos në vitet e para të pasluftës. “Gazeta kombëtare “Bota sot” asnjëherë nuk ka bërë kompromis me të keqen dhe kjo, për fat të keq, i ka kushtuar edhe me vrasjen e gazetarëve të saj.
Mos të flasim pastaj për sulmet dhe kërcënimet e vazhdueshme me të cilat janë përballur themeluesit dhe i gjithë stafi nga ata që i pengonte ajo që shkruhej e thuhej guximshëm vetëm në “Bota sot”. Misioni i shenjtë i gazetarisë merrte kuptim në shkrimet që publikoheshin çdo ditë në gazetën “Bota sot”.
Duhej shumë guxim për ta hulumtuar dhe plasuar gjendjen reale me të cilën përballej Kosova, sidomos në vitet e para të pasluftës. Por edhe “pasojat” ishin të rënda. Atyre që kishin për mision përvetësimin e çdo gjëje të mirë e pozitive në Kosovën e pasluftës, u ishin bërë “halë në sy” gazetarët tanë” , thotë Lakna.
Të gjitha mizoritë ndaj kombëtares “Bota sot”, sipas Laknës, nuk arritën ta shuajnë zërin kritik. Sipas saj, ngjarjet ndikuan që edhe më tepër të forcohet arsyeja për t’i shkuar të vërtetës deri në fund.
“ Mizoria ndaj kombëtares “Bota sot” vijoi në vitin 2000 me vrasjen e Xhemail Mustafës, bashkëpunëtorit të saj të ngushtë, kolumnistit të rregullt dhe njeriut më të afërt të Presidentit Rugova. Një vit më vonë u vra edhe gazetari Bekim Kastrati, e më pas, në vitin 2005, edhe Bardhyl Ajeti. Këto ngjarje të rënda nuk arritën ta shuajnë zërin kritik të gazetës “Bota sot”.
Madje, arsyeja për t’i shkuar të vërtetës deri në fund vetëm sa u forcua. Përvjetorët e vrasjeve të gazetarëve ndër vite janë shënuar me shkrime dhe kërkesa për zbardhjen e tyre dhe kapjen e kriminelëve, ani pse vetë drejtësia në Kosovë, për shumë vite, ishte e kapur nga politika, e mbase edhe nga vetë vrasësit e gazetarëve të gazetës “Bota sot” dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë politikë të Presidentit historik, dr.
Ibrahim Rugova”, shprehet kryeredaktorja. Në fund, ajo shton se “Bota sot” ishte dhe vazhdon të jetë zëri i familjeve që kërkojnë drejtësi dhe nuk do të ndalen. “Tridhjetë e një vjet pas themelimit, vrasjet e gazetarëve, përkatësisht moszbardhja e tyre, mbeten plaga më e rëndë e “Bota sot”.
Ne, si staf i gazetës, asnjëherë nuk kemi reshtur së kërkuari drejtësi për vrasjet e gazetarëve, por edhe për vrasjet e tjera me motive politike. Gjatë gjithë këtyre viteve, drejtësia e kapur heshti, ndërsa politikanët i përdorën vrasjet politike për t’i larë hesapet e tyre elektorale.
Por “Bota sot” ishte dhe vazhdon të jetë zëri i familjeve që kërkojnë drejtësi dhe besoj se nuk do të ndalemi derisa drejtësia ta thotë fjalën e saj përfundimtare”, përfundon Lakna.
