Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka njoftuar krijimin e grantit të ri “Fit for the Future Olympian Grant”, përmes të cilit çdo olimpist do të ketë të drejtë të përfitojë 10,000 dollarë amerikanë, duke filluar nga Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026.
“Për herë të parë në histori, të gjithë sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike do të kenë mundësinë të marrin mbështetje financiare për zhvillimin e karrierës së tyre sportive ose për tranzicionin drejt karrierës pas sportit. IOC ka ndarë një fond prej 140 milionë dollarësh për çdo cikël olimpik, nga i cili pritet të përfitojnë rreth 14,000 olimpistë.
“Ky nuk është shpërblim për medalje. Është njohje për rrugëtimin, përkushtimin dhe sakrificat që duhen për t’u bërë olimpist,” deklaroi kryetari i Komisionit të Atletëve të IOC-së, Pau Gasol. Granti do të jetë i disponueshëm për të gjithë olimpistët që do të garojnë në Lojërat Olimpike, pavarësisht vendit që përfaqësojnë apo rezultateve të arritura”, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës.