Hafir Hoxha ka bërë një analizë kritike mbi zhvillimet e skenës politike në Kosovë, duke vënë në pah rënien e ndikimit të dy partive që për një kohë të gjatë kanë dominuar jetën institucionale dhe politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Në shkrimin e tij në Facebook, ai thekson se këto parti janë përballur me një stagnim të thellë organizativ dhe ideor, të mbështetur në struktura të vjetruara dhe në trashëgimi historike që nuk kanë arritur të përshtaten me realitetin e ri politik dhe kërkesat e brezave të rinj.
Sipas tij, mungesa e rinovimit të brendshëm dhe mbyllja ndaj kuadrove të reja kanë ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e besimit qytetar, përcjell “Bota sot”.
Në të kundërt, ai e sheh ngritjen e Lëvizja Vetëvendosje si rezultat të një qasjeje më dinamike dhe më të lidhur me realitetin shoqëror, duke u mbështetur në një staf më të ri, komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aftësi për të reflektuar aspiratat e rinisë dhe të diasporës. Sipas analizës, kjo qasje ka bërë që Vetëvendosje të shndërrohet në forcën kryesore politike në vend.
Në përfundim, Hoxha nënvizon se e ardhmja e partive tradicionale varet nga aftësia e tyre për t’u reformuar thellësisht, për të hapur dyert ndaj meritokracisë dhe për të tejkaluar modelet e vjetra të bazuara në trashëgimi politike apo në narrativat e luftës, të cilat nuk po arrijnë më të rezonojnë me gjeneratat e reja.
Shkrimi i plotë “Analizë mbi rënien e LDK-së dhe PDK-së në nivelin e tanishëm!” Lidhja Demokratike e Kosovës, dikur bastion i pacifizmit para luftës dhe një nga forcat më të forta pas saj, ka rënë në një nivel të ulët, sidomos gjatë 10 viteve të fundit.
Arsyet janë historike: pas humbjes së liderit legjendar Ibrahim Rugova, strukturat u plakën dhe vepruan në mënyrë të kufizuar, pa u rikuperuar me brezat e rinj, duke u mbështetur tërë kohën në një ideologji të krijuar si “rugoviste”, ku për strukturat dhe njerëzit e rinj nuk kanë shumë njohuri për përmbajtjen e këtij koncepti ideor politik, që ka funksionuar në kushte dhe rrethana të vështira, kur nuk kishim shtet, as institucione shtetërore as për të punuar e as për të dhënë llogari, por si lëvizje ka bërë maksimumin për popullin e Kosovës aq sa ka ditur dhe mundur, në forma ilegale, gjysmëilegale dhe pjesërisht legale.
Në anën tjetër, PDK-ja, si partia e parë pas luftës (brenda saj aktivistët e ilegales së LPK-së etj.), arriti të mbajë mbështetjen, pasi grumbulloi veteranët dhe aktivistët e luftës në tërë territorin e Kosovës. Pak më vonë, me të njëjtën ide por pak më vonë, u formua Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga struktura ushtarake, duke mbetur e ngushtë në frymën e luftës.
Por, pasi PDK përfshiu shumicën e territorit të Kosovës, Aleancës i mbeti bastioni i regjionit të Dukagjinit (faktikisht pjesët ku ata kanë luftuar gjatë viteve 1998/99). Ndërkohë, Vetëvendosja, me 25 vjet punë si opozitë e tri partive të lartpërmendura, ka arritur të ketë një staf të ri, të freskët, që i përgjigjet kohës.
Ata kanë punuar, kanë dëgjuar dhe kanë frymëzuar rininë para se ata të mbushnin 18 vjeç, për t’u marrë me politikë. Ata u krijuan dhe u formuan duke i parë gabimet e qeverive, dhe sot janë forcë kryesore.
VV, duke i dëgjuar aspiratat e rinisë dhe të mërgatës, të cilët jetojnë dhe punojnë në shtete demokratike dhe më të zhvilluara, i kupton dhe i reflekton në mënyrë pozitive në jetën e tyre. VV i dëgjon dëshirat e mërgatës që duan ta shohin shtetin e Kosovës të zhvilluar dhe funksional si shtetet në Perëndim.
VV i përfshin këto dëshira në planin dhe fushatën e saj politike dhe arrin t’i fitojë zgjedhjet bindshëm, me dallim të dyfishtë nga partia e dytë pas saj.
Nëse LDK-ja, PDK-ja edhe AAK-ja duan të ndryshojnë fatin, duhet patjetër të investojnë në rininë, në resurse njerëzore, të hapin dyert për talente të reja dhe të ndërtojnë institucione mbi merita, jo vetëm mbi lavdinë e politikës së gjatë, mbi vlerat dhe meritat e luftës apo mbi ideologjinë “rugoviste” tradicionale si filozofi e gjatë dhe jo atraktive për rininë e sotme.
Vetëm kështu ata mund ta rikthejnë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve. Politika populiste tradicionale si “unë jam rugovist” apo “unë e kam çliruar vendin, ku ishe ti?!” vështirë se do ta bindë një 18-, 20- apo 25-vjeçar sot që të besojë se ka mundësi të kontribuojë në zhvillimin e shtetit pa pasur nevojë të jetë patjetër rugovist, çlirimtar, apo mik e familjar i tyre.
Prandaj, shumica e rinisë nuk janë as rugovistë e as çlirimtarë, sepse nuk kanë jetuar në ato epoka. Pas 30–40 vitesh ndoshta nuk do të jetë gjallë asnjë çlirimtar apo rugovist, kurse shtetit do t’i duhet të udhëhiqet nga njerëz të aftë, pa këto koncepte, por që duhet të njihen e të respektohen, jo të jenë kusht për të qenë aktiv në politikë dhe shtetndërtim.
