98 inspektime në mbarë Kosovën, mbyllen tri qendra masazhi dhe shqiptohen pesë gjoba

0%

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit 98 inspektime të përbashkëta në qendra masazhi dhe lokale muzike në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, si rezultat i mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimit të orarit të punës, janë mbyllur tri qendra masazhi. Dy prej tyre janë mbyllur në Komunën e Gjakovës, ndërsa një në Komunën e Rahovecit.

Po ashtu, gjatë aksionit inspektues, IQMT ka shqiptuar pesë gjoba ndaj subjekteve që nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar gjatë procesit të kontrollit. Autoritetet kanë bërë të ditur se këto veprime kanë për qëllim garantimin e ushtrimit të ligjshëm të veprimtarive ekonomike dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

IQMT theksoi se, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të vazhdojë organizimin e aksioneve të përbashkëta inspektuese në të gjithë vendin për të siguruar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Burimi: Telegrafi