5 korriku 1990 – Dita më e gjatë dhe më dramatike e Kuvendit të

0%

Në kronologjinë e historisë moderne të Kosovës, 5 korriku 1990 mbetet dita kur regjimi i Serbisë vendosi të rrënojë me dhunë rendin kushtetues dhe institucional të Kosovës. Pas miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, me të cilën deputetët shqiptarë e shpallën Kosovën republikë në kuadër të federatës jugosllave, pushteti i Beogradit reagoi me masa të menjëhershme represive.

Atë ditë u ndërmor suprimimi faktik i institucioneve autonome të Kosovës. Me vendime arbitrare dhe me forcë policore u ndërpre puna e Kuvendit të Kosovës, u vendos kontrolli i drejtpërdrejtë mbi administratën, u mbyllën Radio Televizioni i Prishtinës, gazeta “Rilindja” dhe Radio Prishtina, ndërsa gazetarët, redaktorët dhe punonjësit e mediave publike u dëbuan dhunshëm nga vendet e tyre të punës.

Ishte fillimi i një politike të organizuar për shkatërrimin e çdo institucioni shqiptar në Kosovë. Përplasja dramatike në sallën e Kuvendit Në sallën e Kuvendit zhvillohej një nga përballjet më dramatike në historinë parlamentare të Kosovës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Deputetët shqiptarë refuzonin kategorikisht të pranonin ndërhyrjen e Serbisë, duke argumentuar se pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, Serbia nuk kishte më asnjë bazë juridike për të ushtruar pushtet mbi institucionet e Kosovës.

Në anën tjetër, kryetari i atëhershëm i Kuvendit, serbi Ivan Bozhoviq, ndërpreu në mënyrë arbitrare vazhdimin e seancës, duke refuzuar çdo kërkesë të deputetëve shqiptarë për të vazhduar punimet sipas procedurës kushtetuese. Atmosfera u bë jashtëzakonisht e tensionuar. Rreth foltores u krijuan dy kampe të ndara qartë.

Deputetët shqiptarë kërkonin vazhdimin e seancës dhe mbrojtjen e legjitimitetit kushtetues të Kuvendit. Deputetët serbë, përkundrazi, bllokonin fizikisht foltoren, mikrofonët dhe procedurat parlamentare, duke penguar çdo mundësi që Kuvendi të vazhdonte punën e tij. Ndarja politike ishte shndërruar tashmë në një ndarje të plotë kombëtare.

Në atë sallë përplaseshin dy koncepte diametralisht të kundërta: e drejta kushtetuese e Kosovës për vetëvendosje dhe politika e forcës së regjimit të Beogradit. Lufta për procesverbalin e historisë Një episod pak i njohur, por me rëndësi të jashtëzakonshme historike, lidhej me incizimin zyrtar të mbledhjes.

Kabina e incizimit dhe mekanografisë kontrollohej nga mekanografi serb Dragan, i cili refuzonte t’i dorëzonte shiritat e incizimit dhe ishte mbyllur brenda kabinës. Ne, disa punonjës të rinj të administratës së Kuvendit, e kuptonim se ato shirita nuk ishin vetëm regjistrime teknike; ato përfaqësonin provën historike të rezistencës institucionale të Kosovës.

Në kulmin e tensionit e paralajmëruam se, nëse nuk i dorëzonte, do të detyroheshim ta thyenim derën për t’i marrë. Për fat, situata nuk eskaloi më tej, por ky episod dëshmoi se edhe dokumentimi teknik ishte bërë pjesë e betejës politike.

Administrata e Kuvendit – mbrojtëse e institucioneve Në ato çaste dramatike edhe ne, përkthyesit, juristët, stenografët, administrata profesionale dhe punonjësit teknikë, e lamë vendin tonë të zakonshëm të punës. Dolëm nga kabinat e përkthimit dhe u bashkuam me deputetët në sallën plenare. Qëndruam së bashku deri rreth orës pesë të mëngjesit.

Ajo natë dëshmoi se historia e rezistencës së Kosovës nuk është ndërtuar vetëm nga deputetët dhe udhëheqësit politikë. Ajo u mbështet edhe mbi administratën profesionale të institucioneve, e cila në momentet më të vështira mbrojti ligjshmërinë, dinjitetin institucional dhe vazhdimësinë juridike të shtetësisë së Kosovës.

Ky dimension ende nuk ka zënë vendin që meriton në historiografinë shqiptare. Kuvendi i rrethuar! Ndërtesa e Kuvendit ishte e rrethuar nga një prani e jashtëzakonshme policore. Kordonë të shumtë policësh me helmeta, automatikë, mjete speciale dhe automjete të blinduara kishin izoluar plotësisht objektin. Brenda ndërtesës ndodheshin gjithashtu forca të shumta policore.

Numri i tyre dukej se i kalonte njëqind policë. Në korridore mbizotëronte një heshtje e rëndë. Askush nuk dinte se çfarë mund të ndodhte në orët në vijim. Rreziku i ndërhyrjes së dhunshme ishte real. Megjithatë, asnjë deputet shqiptar dhe asnjë punonjës i administratës nuk u largua nga ndërtesa. Lidhja e vetme me botën jashtë Familjet tona jetonin në ankth.

Në gjithë Kosovën përhapej lajmi se Kuvendi ishte i bllokuar. Lidhja jonë e vetme me botën e jashtme ishte telefoni nga zyra e shefit tonë, Hikmet Gusia. Përmes atij telefoni arrinim t’u thoshim familjarëve tanë vetëm disa fjalë: “Mos u shqetësoni. Jemi mirë.” Po aq i rëndësishëm ishte edhe komunikimi përmes një ose dy radio-transistorëve që ndodheshin në sallë.

Radio Prishtina transmetonte pothuajse vazhdimisht zhvillimet nga Kuvendi. Çdo lajm që dëgjonim bëhej burim shprese për të gjithë ne. Zëri i Adem Mikullovcit Në mesin e shumë deputetëve që ruanin qetësinë dhe vendosmërinë, mbetet i paharruar qëndrimi i Adem Mikullovcit.

Në një moment ai arriti të komunikojë me familjen, ashtu si edhe shumë delegatë të tjerë nga telefoni dhe, me një ton të mbushur me emocione, i porositi gruas së tij: “Mos ia hap derën askujt.” Ajo fjali pasqyronte klimën e frikës dhe pasigurisë që kishte pushtuar Kosovën. Askush nuk e dinte se si do të përfundonte ajo natë.

Agimi i 6 korrikut Vetëm rreth orës pesë të mëngjesit u larguam nga ndërtesa. Agimi kishte filluar të zbardhte Prishtinën. Drita e mëngjesit na dha një ndjenjë të përkohshme sigurie.

U kthyem në shtëpitë tona të lodhur fizikisht, por të bindur se kishim mbrojtur dinjitetin e institucioneve të Kosovës. 7 korriku – refuzimi i festës së Serbisë Dy ditë më vonë, më , kur Serbia kremtonte festën e saj shtetërore, punonjësit shqiptarë të institucioneve nuk morën pjesë në ceremonitë zyrtare. Ky ishte një akt simbolik me domethënie të madhe politike.

Ai shprehte mosnjohjen e legjitimitetit të pushtetit serb mbi Kosovën dhe besnikërinë ndaj rendit kushtetues të shpallur më 2 Korrik. Ky refuzim paqësor ishte një formë e rezistencës civile dhe institucionale. Largimi me forcë nga vendet e punës Pas 5 korrikut filloi spastrimi sistematik i administratës shqiptare.

Punonjësit u larguan me forcë nga institucionet, shpeshherë pa procedura ligjore, pa vendime individuale dhe pa të drejtë ankese. Nga këndvështrimi juridik, këto masa përbënin shkelje të rëndë të të drejtave të punës, të autonomisë kushtetuese të Kosovës dhe të standardeve ndërkombëtare për administratën publike.

Kjo politikë nuk kishte karakter administrativ, por ishte pjesë e një projekti të organizuar për ndryshimin e strukturës etnike të institucioneve. Në kontekstin evropian Ngjarjet e Kosovës mund të krahasohen me përplasjet kushtetuese që përjetuan disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore gjatë shpërbërjes së regjimeve komuniste.

Megjithatë, ndryshe nga shumica e këtyre vendeve, ku tranzicioni u zhvillua përmes reformave politike, në Kosovë u përdor dhuna shtetërore për të shkatërruar institucionet ekzistuese. Prandaj, rezistenca institucionale paqësore e deputetëve dhe administratës së Kuvendit përbën një rast të veçantë në historinë bashkëkohore evropiane.

Përfundim 5 korriku 1990 ishte dita më e gjatë dhe më dramatike e jetës sime profesionale. Por ai ishte edhe një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë kushtetuese të Kosovës. Ajo ditë dëshmoi se institucionet nuk mbrohen vetëm me armë. Ato mbrohen me ndërgjegje profesionale, me guxim moral dhe me besim në të ardhmen.

Në atë natë të gjatë, deputetët shqiptarë, administrata profesionale, përkthyesit, juristët, dhe punonjësit teknikë, të gjithë së bashku mbrojtën dinjitetin e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Ky kontribut meriton të zërë një vend të veçantë në historiografinë shqiptare dhe në kujtesën institucionale të Republikës së Kosovës.

Burimi: Bota Sot