Ejup Maqedonci, ministri në detyrë i Mbrojtjes, mori pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar (Distinguished Visitors Day), në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare “Combat Power 26”, e zhvilluar në poligonin ushtarak të Slunjit, në Kroaci. Ministri Maqedonci ishte i ftuar nga Ivan Anushiq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë.
Sipas një komunikate, kjo stërvitje ka dëshmuar qartë gatishmërinë dhe aftësinë e forcave të Kosovës për të mbrojtur vendet dhe qytetarët e saj.
“Në stërvitje morën pjesë mbi 3,000 ushtarakë nga Kroacia, si dhe qindra pjesëtarë nga vendet aleate dhe partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Slloveninë, Shqipërinë, Portugalinë, Malin e Zi, Rumaninë, Gjeorgjinë dhe Republikën e Kosovës.” – thuhet në komunikatë .
Më tej, thuhet se Kosova është përfaqësuar denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 45 ushtarakë, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë.
“Gjatë stërvitjes, pjesëtarët e FSK-së dëshmuan nivel të lartë profesionalizmi, disipline dhe ndërveprueshmërie, duke konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës zotëron aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere.” – vazhdon njoftimi. Stërvitja “Combat Power 26” ka zgjatur 11 ditë dhe u zhvillua në terrene sfiduese.
Gjatë ushtrimeve janë demonstruar operacione të integruara luftarake ajrore dhe tokësore, duke simuluar skenarë luftarakë për mposhtjen e forcave armike dhe duke vënë në pah nivelin e lartë të koordinimit ndërmjet forcave pjesëmarrëse Ministria e Mbrojtjes e ka veçuar një element të rëndësishëm të pjesëmarrjes së FSK-së kur i ka angazhuar kapacitetet logjistike në fushën e shërbimit të ushqimit.
“Sot, FSK-ja ka kapacitete të plota organike, duke ofruar mbështetje ushqimore si për pjesëtarët e saj, ashtu edhe për forcat aleate dhe partnere gjatë stërvitjeve të përbashkëta. Ky zhvillim pasqyron avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve logjistike, rritjen e vetëqëndrueshmërisë operacionale dhe pjekurinë institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.” – shton Ministria.
Për Ministrinë, pjesëmarrja e FSK-së në këtë stërvitje nuk është vetëm një angazhim ushtarak , por është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe kontribuon në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të saj.
“Përmes këtyre angazhimeve, ushtarët rrisin aftësitë e tyre dhe dëshmojnë se janë të përgatitur për të kontribuar me sukses në misione dhe operacione të përbashkëta ndërkombëtare.” – thekson Ministria e Mbrojtjes.
Ministria vlerëson se bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë mbetet një partneritet i fuqishëm strategjik, i ndërtuar mbi një miqësi të sinqertë mes dy shteteve që qëndrojnë krah për krah përballë sfidave të përbashkëta.
