Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar të hënën () se gjatë javës së kaluar 31 persona janë lënduar në 42 aksidente që janë regjistruar në komunat e Ferizajt, Hanit të Elezit, Kaçanikut, Shtërpcës dhe Shtimes.
“Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 42 aksidente, nga të cilat: 23 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 31 persona dhe 19 aksidente me dëme materiale”, thuhet në komunikatën e përjavshme të Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë Rajonale të Ferizajt.
Gjatë së njëjtës periudhë kohore janë shqiptuar edhe 1.511 gjoba kundërvajtëse në trafik, si dhe janë pezulluar 43 patentë shoferë për shoferët e mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut”, thuhet në komunikatën e përjavshme, duke ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në komunikacionin rrugor.
