Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përfshirë në një tjetër përplasje me një gazetar, këtë herë me korrespondentin e gazetës britanike “The Independent”, Andrew Feinberg, të cilin e paralajmëroi me tone të ashpra gjatë një shkëmbimi pyetjesh në Shtëpinë e Bardhë.
Incidenti ndodhi gjatë prezantimit të një projektligji nga Trump dhe anëtarë të tjerë të administratës së tij, i cili synon t’u mundësojë qytetarëve të përfitojnë kompensim financiar në rast se raportojnë mashtrime. Gjatë komunikimit me gazetarët, Feinberg i drejtoi një pyetje presidentit amerikan, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të këtij të fundit.
“Nuk e di kush dreqin je, por më mirë ki kujdes” , iu drejtua Trump gazetarit, në një moment që u filmua dhe u shpërnda në rrjetet sociale. Përplasja vijoi edhe kur gazetari u përpoq të merrte një përgjigje lidhur me planet për rindërtimin e një fushe publike golfi në Uashington. Trump reagoi me tone të ashpra, duke i kërkuar të heshtte. “Hesht. Hesht! Çfarë ke?” , tha presidenti amerikan.
Në fund, Trump e sulmoi sërish gazetarin, duke vënë në pikëpyetje gjendjen e tij. “Je çmendur? Vërtet mendoj se diçka nuk shkon me ty ”, deklaroi ai. Incidenti është një tjetër përplasje mes presidentit amerikan dhe përfaqësuesve të medias, gjatë komunikimeve të tij publike me gazetarët.
