Në ditën e pestë të “Vjeshtës studentore” Rama, doli tre herë para shqiptarëve. Dëgjojeni me kujdes se si foli. Ai u drejtua protestuesve sikur po flet për qytetarë të një shteti tjetër. Sikur nuk e konsideron veten shqiptar, por pronar të një SHPK-je ku shqiptarët janë vetëm punëtorë e shërbëtorë të tij. Janë numra kartoni në parlament.
Tani duket se ai i urren maksimalisht ata që janë kundërshtarë të tij ose ata që flasin të drejtën. Kjo gjuhë nuk është e re për Edi Ramën. Ajo është distancë, arrogancë dhe mospërfillje e vazhdueshme. Çdo deklaratë, çdo gjest, madje edhe mënyra se si trajton protestuesit dhe gazetarët, është show i mirëmenduar i Ramës, me sy nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Kjo mënyrë vjen pas muajsh të Revolucionit të Flamingove, protestave kundër shitjes së bregdetit dhe ishullit Sazan. Tani është revolta e studentëve – Generation Z – që dalin për koston e jetës, kushtet e mjerueshme në universite dhe korrupsionin, dhe kërkojnë dorëheqjen e tij. Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë: zjarre, tym, përplasje, ndërtesa të sulmuara e rrugë të shkatërruara.
Studentët që iu bashkuan revoltës thonë se Rama i detyroi, pasi i kishte lodhur me protestat paqësore. Tanu kërkesa është e qartë, si para katër muajsh vetëm dorëheqja. Por, Rama nuk flet me ta, ose kërkon t’i përçajë në protestues të mirë e protestues të këqinj. Ai flet dhe vepron sikur të ketë para vetes diplomatë të huaj, ata me të cilët ka folur për 13 vjet.
Çdo fjalë e tij tani është e llogaritur për të treguar jashtë se ai është i vetmi që mund ta “shpëtojë” Shqipërinë dhe ta çojë në Evropë. Kur studentët dilnin në rrugë, ai e paraqeste si “shembull demokracie”. Kur flasin për korrupsionin, kthen sytë nga investitorët e huaj. Kur kritikojnë shitjen e tokës, i quan slogane “neo-naziste”. Gjithçka është performancë për sytë e jashtëm.
Shqipëria, nuk është shtëpia e shqiptarëve për të, por një projekt që ai e menaxhon për të huajt. Ai flet për “hapjen” dhe “evropianizimin”, por kurrë nuk flet me zemër për dhimbjen e studentit, të familjes që nuk e nxjerr muajin apo të të riut që sheh të ardhmen jashtë. Ai flet si administrator i një kompanie ndërkombëtare, jo si kryeministër i popullit të vet.
Edhe reagimet nga Uashingtoni janë të qarta. Ambasada amerikane ka kërkuar protesta paqësore dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët, ndërsa kongresmenë amerikanë kanë theksuar se shqiptarët meritojnë sundim të ligjit, institucione që japin llogari dhe që të rinjtë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre.
Kur kryeministri flet me popullin e tij si me të huajt, kur çdo deklaratë është show për jashtë, ndërsa Tirana digjet, pyetja bëhet ekzistenciale: Kush e përfaqëson realisht Shqipërinë, sot – ai që e sheh nga lart si pronar dhe e shet imazhin e saj, apo ata që po e mbrojnë në rrugë? Vjeshta e Studentëve është duke e dhënë përgjigjen.
Dhe ajo që po ndodh sot në Shqipëri, nuk është show, zoti Kryeministër. Është Revolucioni “Vjeshta e Studentëve”: Andaj Jep dorëheqjen!
